“E trishtë”, iku nga lufta për një jetë më të mirë, bashkëshorti vdiq nën rrënoja ndërsa ajo lindi pasi u nxor e gjallë

17/02/2023 10:37

Një nënë nga Jemeni, një vend në Azinë Perëndimore, që iku nga lufta ka sjellë në jetë një vajzë dhjetë orë pasi u shpëtua nga shtëpia e saj e goditur nga tërmeti në Turqi.

Faten Al Yousifi, e cila ishte 39 javë shtatzënë kishte dekoruar dhomën e foshnjës së saj dhe kishte gati një çantë lindjeje kur tërmeti goditi banesën e saj në Malatya, pak pas orës 4 të mëngjesit të së hënës së kaluar.

Pas dhjetë orësh e trullosur, e dehidratuar dhe nga frika për sigurinë e fëmijës së saj të palindur, ajo u nxor nga rrënojat nga një mik i familjes dhe punonjësit e shpëtimit.

“Nuk besoja se isha ende gjallë”, tha Faten për BBC.

Ajo u dërgua me urgjencë në spital ku mjekët kryen një prerje cezariane për të lindur vajzën e saj Loujain, që do të thotë “argjend” në arabisht.

Por më pas erdhi tragjedia. Miku i saj u kthye për të shpëtuar burrin e Fatenit por 29-vjeçari kishte vdekur. Trupi i tij u gjet tre ditë më vonë. Ai ishte në vitin e fundit të studimeve për inxhinieri kimike.

“Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan dhe qëndruan me mua. Kam pasur një familje kur e imja nuk ishte më”, tha ajo.

“Ne imagjinuam një jetë të bukur për vajzën tonë. Por vullneti i Zotit është mbi çdo gjë, kudo. Askush nuk e di se ku do të jetë fundi”, shtoi ajo.

Top Channel