Paketë e re ndihme në Greqi, deri në 300 euro për pensionistë që nuk përfituan rritje pensioni

15/02/2023 19:17

200-300 euro për 1 milion pensionistë që nuk përfituan rritje pensioni 800 milion euro do të jetë paketa e re e ndihmës financiare që ka shpallur qeveria konservatore greke për pensionistët, fermerët dhe bizneset e dëmtuara nga inflacioni dhe faturat e larta të energjisë.

Ndërsa muajin e kaluar kryeministri Mitsotakis shpalli rritjen me 8% të pensioneve, për herë të parë pas rreth 23 reduktimeve të vazhdueshme për shkak të krizës financiare prej viteve 2010-2018, mesditën e së mërkurës katër ministra të qeverisë kanë specifikuar paketën e re të një ndihme nga 200-300 euro para Pashkëve, që e marrin ata pensionistë të cilët nuk përfituan nga rritja sepse nuk plotësonin kriteret .

“Kjo ndihmë mbulon më shumë se 1 milion pensionistë dhe varion nga 200 deri në 300 euro, sipas shumës të të ardhurave pensionale dhe çdo rritje pensioni që ata kanë marrë”, tha Christos Staikouras ministër i Financave.

Gjithashtu ministri i Financave ka deklaruar se zgjatet për 6 muaj TVSH e reduktuar për transportin, kafen dhe pijet joalkoolike, ndërsa edhe fermerët grekë do të marrin rimbursime taksash për kostot e karburantit të transportit për vitin 2023 si dhe disbursime më të shpejta të kompensimeve të papaguara për fatkeqësitë natyrore.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave inflacioni për muajin janar në Greqi u ul deri në 7%, nga 7,2% në dhjetorin e kaluar, por në veçanti, çmimet e artikujve ushqimorë dhe pijeve joalkoolike u rritën me 15.4%. Konkretisht produktet e qumështit dhe vezët u rritën me 25%, vajrat dhe yndyrnat 23.1%, mishi 19.3%, buka-drithërat 18.6%.

Pavarësisht rritjes së kostove të energjisë që nga viti i kaluar, ekonomia e Greqisë ka ecur mirë falë rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe këtë vit, Athina pret që prodhimi ekonomik të rritet me 1.8%.

Top Channel