Ndërsa dy ekipe amerikane përballen sot për finalen e kampionatit të futbollit amerikan, Superbowl, pjestarë të ligës ukrainase të këtij futbolli ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës.
Zëri i Amerikës bisedoi me dy prej pjesëtarëve të ekipit kampion në Ukrainë që aktualisht janë radhitur në vijat e frontit për të mbrojtur vendin e tyre nga agresioni rus.
Ndërsa shërbejnë nën uniformën e ushtrisë ukrainase në vijën e parë të frontit, pjestarë të ekipit të futbollit amerikan “Uzhhorod Lumberjacks” i kanë kushtuar një video finales së ndeshjes për Supërkupën 2023 që zhvillohet në Arizona mes ekipeve të Kansasit dhe Filadefias. Fedir Shandor është pjestar i ekipit të futbollit amerikan “Uzhhorod Lumberjacks”.
“Pas nesh është kufiri ruso-ukrainas. Duam të falënderojmë popullin amerikan për mbështetjen e tyre, për ndihmën!”
Para luftës, Fedir Shandor ishte president i Federatës së Futbollit Amerikan në rajonin Zakarpattia. Aktualisht ai është anëtar i Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe sherben në kufirin veri-lindor të vendit.
“Ish-guvernatori i Nju Jorkut erdhi këtu, besoj se ka origjinë hungareze, dhe na dhuroi topa futbolli.Ai solli ndihma humanitare në Ukraninë dhe si tifoz i futbollit na solli edhe dhurata”, thotë Shandor për Zërin e Amerikës.
Ai luan futboll amerikan prej 15 vitesh dhe e zgjodhi këtë sport për shkak të madhësisë së tij trupore.
“Jam disi trupmadh dhe bukuria e futbollit amerikan është se çdokush mund të luajë. Pavarësisht nëse je elegant apo trupmadh, i gjatë apo i shkurtër, kushdo luan. Është një sport i rrallë që i pranon këto”.
Ekipi për të cilin luan zoti Shandor, “Uzhgorod Lumberjacks” ka fituar tre herë kampionatin ukrainas të Ligës së Futbollit Amerikan. Aktualisht mbi gjysma e ekipit janë në vijën e parë të frontit.
“Ekipet e futbollit amerikan zakonisht përbëhen nga 50-60 lojtarë dhe ne kemi 24. Pesëmbëdhjetë pjestarë të ekipit janë në vijën e parë të frontit dhe fatkeqësisht kemi humbur një nga pjestarët e ekipit tonë, Danylo Bohuslavsky”.
32 vjeçari Danylo Bohuslavskiy vdiq tetorin e kaluar ndërsa luftonte në rajonin Kherson. Vëllai i tij Roman Bohuslavsky, gjithashtu ushtar dhe një futbollist amerikan, u ftua të ndjekë Supërkupën.
Pjestarët e ekipit “Uzhgorod Lumberjacks” kanë në plan të ndjekin finalen e Superbollit. Disa si Vitaliy Melnyk do ta ndjekin ndeshjen nga fronti i luftës në rajonin Kharkiv.
“Jemi në pritje të ndeshjes që është e shenjtë për ne. Kjo e dielë e shkurtit për ne është shumë e rëndësishme. Pres me padurim të ndjek ndeshjen, madje as lufta nuk do të më ndalojë”.
Ai dhe miku i tij Shandor-i thonë se mbështesin ekipin “Kansas City Chiefs” që përballet me ekipin “Eagles” të Filadelfias. Zoti Shandor thotë se ishte në qytetin e Kansasit kur ndoqi për herë të parë një ndeshje futbolli amerikan./VOA
Top Channel