Inflacioni u ngadalësua në janar për të tretin muaj radhazi.

Sipas të dhënave të Instat niveli i inflacionit, pra ndryshimit vjetor të çmimeve  ishte 7.1% muajin e kaluar duke vijuar prirjen rënëse, nga 7.4% që rezultoi në dhjetor.

Ecuria e këtij treguesi duket se është diktuar edhe nga situata në Eurozonë ku edhe atje inflacioni ka shfaqur prirje rënëse, pasi një pjesë e mirë e inflacionit në vend është i importuar.

Por, edhe pse rritja e çmimeve ka qenë më e ngadaltë muajin e kaluar, sërish ushqimet vijojnë të mbeten ndjeshëm të shtrenjta dhe rritja për këtë grup ishte 4.6% këtë periudhë.

Brenda këtij grupi, më të shtrenjta rezultojnë produktet e bulmetit, yndyrnat dhe buka që kanë parë një rritje çmimesh dyshifrore. Edhe çmimet e karburanteve kanë parë një stabilizim së fundmi në tregun ndërkombëtar duke u reflektuar edhe në tregun vendas.

Nafta ka parë rënie graduale të çmimit. Për herë të parë që prej marsit zbriti pak ditë më parë poshtë nivelit të 200 lekë për litër, duke iu rikthyer thuajse niveleve të paraluftës. Së bashku me ushqimet, përbëjnë edhe peshën kryesore të ndikimin në ecurinë e inflacionit si dhe shpenzimeve të shqiptarëve, ku për të dyja grupet çojnë gati gjysmën e buxheteve familjare.

Por, çmimet po rriten për kategori të tjera si qiratë, për të mobiluar shtëpitë apo për grupe si bare e restorante si dhe për mallra e shërbime të tjera.

Me gjithë prirjen rënëse, inflacioni vijon të mbetet i lartë mbi dyfish më shumë se objektivi i bankës qendrore prej 3%, për të cilin ajo pret të kthehet në ekuilibër brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm.

Top Channel