Një vit luftë, shefi i OKB-së: Perspektiva për paqen në Ukrainë vazhdon të shuhet

07/02/2023 08:31

Luftimet vazhdojnë në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, me qytetin Bakhmut dhe qytezat fqinje Soledar dhe Vuhledar në epiqendër të përplasjeve.

“Betejat për rajonin po shtohen”, tha Guvernatori i rajonit Donetsk, Pavlo Kyrylenko gjatë një fjalimi televiziv, duke shtuar se “rusët janë duke futur njësi të reja në betejë dhe po zhdukin qytetet dhe fshatrat tona”.

Rritja e pranisë së forcave ruse që nga fundi i janarit përgjatë kufirit ukrainas dhe në veçanti përgjatë kufirit lindor dhe verilindor janë gjithashtu tregues të një ofensive të mundshme ruse në shkallë të gjerë, përpara përvjetorit të sulmit rus më 24 shkurt, thanë të hënën zyrtarët ukrainas.

Zëdhënësi i shërbimit ukrainas të zbulimit Vadym Skibitsky parashikoi se Rusia ka gjasa të hidhet në ofensivë në Donbas dhe ndoshta edhe në rajonin Zaporizhia. Ai shtoi se Rusia ndoshta do të mobilizojë edhe 300 mijë deri në 500 mijë forca shtesë, krahas 300 mijë personave të rekrutuar në vjeshtë.

Sfidat për Ukrainën u shtuan edhe nga njoftimet se mund të ketë ndryshime politike brenda qeverisë ukrainase dhe një zëvendësim të mundshëm të Ministrit të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Shefi i OKB-së paralajmëron për përshkallëzim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën për mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe se bota mund të jetë duke lëvizur drejt një “lufte më të gjerë”.

“Perspektiva për paqen vazhdon të fashitet. Shanset për përshkallëzim të mëtejshëm dhe gjakderdhje vazhdojnë të rriten”, u tha ai diplomatëve në Nju Jork. “Nuk kam frikë se bota po hyn pa e ditur në një luftë më të gjerë. Kam frikë se po e bën këtë me sytë plotësisht të hapur”.

Ndërsa Ukraina vazhdon të jetë në pritje të armatimeve të reja nga Perëndimi për të luftuar forcat ruse, Zvicra është pranë thyerjes së një tradite shumë-shekullore të neutralitetit, ndërsa ndjenjat në mbështetje të Ukrainës përshkojnë sektorët publikë dhe politikë, si dhe ushtrojnë presion ndaj qeverisë që t’i japë fund ndalimit të eksportit të armëve zviceriane.

Sipas kushteve të neutralitetit të Zvicrës, që kanë filluar që nga viti 1815 dhe janë sanksionuar me traktat në vitin 1907, Zvicra nuk furnizon me armë direkt apo indirekt palët e angazhuara në luftë.

Ligjvënësit janë të ndarë për këtë çështje.

“Duam të jemi neutralë, por jemi pjesë e botës perëndimore”, tha Thierry Burkart, drejtues i partisë së qendrës së djathtë FDP, i cili i ka paraqitur një kërkesë qeverisë për të lejuar ri-eksportimin drejt vendeve me vlera të ngjashme demokratike me Zvicrën.

Kryeministri i Norvegjisë propozoi të hënën një paketë ndihmash për Ukrainën me vlerë 7.3 miliardë dollarë.

Gazeta “The Financial Times” njoftoi të hënën se Bashkimi Evropian po përgatitet për një vizitë të mundshme nga Presidenti ukrainas Zelensky për të mbajtur një fjalim në Parlamentin Evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera perëndimore kanë premtuar ndihma të reja ushtarake prej miliarda dollarësh, përfshirë tanke dhe autoblinda për të ndihmuar Ukrainën që të përballojë sulmet e reja dhe për të organizuar një kundërsulm.

“Jo të gjitha armatimet perëndimore do të mbërrijnë në kohë”, tha ministri ukrainas i mbrojtjes. “Por ne jemi gati. Kemi mbledhur burimet dhe rezervat e duhura, me të cilat kemi mundësinë për të sulmuar dhe për të zmbrapsur sulmet”./VOA

Top Channel