​OKB ndan 25 mln dollarë ndihmë humanitare për Turqinë dhe Sirinë

07/02/2023 21:28

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar 25 milionë dollarë ndihmë humanitare për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve vdekjeprurëse që kanë marrë më shumë se 6 mijë jetë njerëzish, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, gazetarëve në selinë e OKB-së u tha se kjo do të ndihmojë në ofrimin e ndihmës urgjente për shpëtimin e jetës së njerëzve në rajonin e prekur nga tërmeti.

“Ekipet e vlerësimit dhe koordinimit të fatkeqësive të OKB-së sot janë në Adana dhe po mobilizohen për në Gaziantep nesër për të mbështetur ekipet urbane të kërkimit dhe shpëtimit. Ata që u prekën nga fatkeqësia përfshijnë mijëra refugjatë nga Siria dhe komunitetet që i kanë strehuar bujarisht ata për gati 12 vite”, tha Dujarric.

Ai tha se refugjatët sirianë përbëjnë mbi 1.7 milionë nga 15 milionë banorë që jetojnë në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet në Turqi.

“Ne do të bëjmë gjithçka që qeveria e Turqisë do që ne të bëjmë dhe do të përpiqemi të jemi sa më të dobishëm”, tha Dujarric.

Zëdhënësi i OKB-së gjithashtu tha se rruga për në veriperëndim të Sirisë nga Turqia është dëmtuar dhe kjo ka ndërprerë përkohësisht ndihmën humanitare në zonat e kontrolluara nga rebelët të cilat janë goditur nga tërmeti.

Sipas shifrave të fundit, numri i të vdekurve nga tërmetet masive në Turqi

është rritur në 5.434, ndërsa numri i të plagosurve në mbi 31 mijë.

Tërmetet u ndjenë edhe në Sirinë fqinje, duke shkaktuar të paktën vdekjen e 1.602 personave dhe plagosjen e mijëra të tjerëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA