Një raport i publikuar nga një organizatë izraelite tregon se popullsia në vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor ka kaluar në janar shifrën e mbi 500 mijë banorëve. Raporti u publikua ndërsa një valë e re dhune po trondit rajonin dhe vetëm pak ditë, pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili shprehu mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez.
Popullsia në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor ka arritur në mbi 500 mijë banorë, njoftoi një organizatë që mbështet zgjerimin e kolonive hebraike. Udhëheqësit e vendbanimeve kanë parashikuar rritje edhe më të shpejtë nën drejtimin e qeverisë së re ultranacionaliste të Izraelit.
Një raport i publikuar nga organizata WestBankJewishPopulationStats.com thotë se popullsia është rritur me 16% gjatë pesë viteve të fundit dhe se në janar ka arritur në 502,991.
“Janë shumë njerëz. Është tashmë një fakt që nuk mund të fshihet apo të mos merret parasysh, apo që të mendosh se do të zhduket kur gjërat të vështirësohen”, thotë kryetari i bashkisë së Efratit, Oded Revivi.
Ky prag u arrit ndërsa qeveria e re në Izrael, e përbërë nga parti ultranacionaliste që kundërshtojnë shtetësinë e palestinezëve, e ka vendosur në krye të përparësive të saj zgjerimin e vendbanimeve.
Raporti u publikua ndërsa një valë e re dhune po e trondit rajonin dhe vetëm pak ditë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili shprehu mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez.
Popullsia në vendbanime ka vazhduar të rritet gjatë administratës së Presidentit Biden, megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për frenimin e ndërtimeve të reja, pas disa vitesh mosndërhyrjeje për këtë çështje nga administrata e ish-Presidentit Donald Trump.
Shifrat e njoftuara për popullsinë në vendbanime nuk përfshin banorët e Jeruzalemit lindor të aneksuar, ku gjenden mbi 200 mijë kolonë të tjerë. Në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor banojnë gjithsej rreth 3 milionë palestinezë. Izraeli mori Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme. Palestinezët i kërkojnë këto territore për të krijuar një shtet të pavarur. Megjithëse tërhoqi forcat ushtarake dhe disa mijëra kolonë nga Gaza në vitin 2005, Izraeli ka vazhduar me zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor.
Monther Abed al-Qader, një palestinezo-amerikan, që banon në Bregun Perëndimor pranë një prej vendbanimeve, thotë se familja e tij përjeton pasojat e kolonizimit dhe të përplasjeve mes palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë. Ai mbledh vazhdimisht granatat e llojeve të ndryshme që bien në kopsht apo në çatinë e shtëpisë së tij.
Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet të paligjshme dhe një pengesë për paqen. Palestinezët i shohin si marrje territori që dëmton mundësitë e tyre për të krijuar një shtet të qëndrueshëm.
“Kemi arritur sot në mbi 750 mijë kolonë, që do të thotë se ka qenë një politikë e qëllimshme për krijimin e sa më shumë vendbanimeve, vendbanimeve të paligjshme”, thotë Mustafa Barghouti, anëtar i Këshillit Qendror të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
Izraeli thotë se Bregu Perëndimor është një territor i diskutueshëm dhe jo territor i pushtuar. Sipas Izraelit, termi territor i pushtuar, mohon praninë historike në këtë tokë të popullit hebre.
Përpjekjet për paqe kanë qenë të shumta për gati 15 vite, ndërkohë që Izraeli vazhdon me ndërtime të mëtejshme vendbanimesh, dhe rivalitetet politike mes palestinezëve e kanë komplikuar më tej situatën.
Kolonët dhe shumë nga mbështetësit e tyre në qeverinë izraelite, e konsiderojnë Bregun Perëndimor si djepin historik dhe biblik të popullit hebre dhe kundërshtojnë një ndarje të mundshme të këtij territori.
Top Channel