Kina “tallet” me SHBA: Nuk është balonë përgjimi, është dron moti/ Dorëzohet Pentagoni!

04/02/2023 13:54

“Nuk është balonë përgjimi, por thjesht një dron monitorimi i motit që ka devijuar nga rruga.”

Kina kërkoi të trajtohet me qetësi çështja që vuri në alarm autoritetet amerikane dhe që shtyu sekretarin e shtetit, Antony Blinken të anullonte vizitën në Pekin.

Qeveria kineze apeloi për gjakftohtësi dhe shprehu keqardhjen për episodin, rëndësia e të cilit në këtë mënyrë, minimizohet ndjeshëm.

“Pekini nuk ka shkelur kurrë territorin dhe hapësirën ajrore të asnjë shteti Sovran. Mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit tani është shumë e rëndësishme. Megjithatë, ne nuk do ta pranojmë hamendësime të pabaza”, tha Mao Ning, zëdhenese e ministries së jashtme kineze.

Ministria e Jashtme kineze akuzoi ndërkohë “disa politikanë dhe media në Shtetet e Bashkuara se e përdorën incidentin si pretekst për të sulmuar dhe njollosur Kinën”.

Pentagoni vetë e pohoi se balona po udhëton në një lartësi mbi trafikun ajror komercial dhe nuk përfaqëson kërcënim ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë, ndërsa shtoi se një balonë e dytë është diktuar tashmë, këtë radhë në Amerikën Latine.

Incidenti ka nxjerrë në pah se deri ku Pekini dhe Uashingtoni janë të gatshëm të shkojnë për të spiunuar njëri-tjetrin ndërsa tensionet mes superfuqive botërore janë në rritje.

Top Channel