Ish-drejtoresha e koncesioneve, Alda Klosi në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e sotme pas një dëshmie të gjatë në polici të ish-pastrueses së saj, Rozeta Dobi.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije për Top Channel se Dobi është marrë në pyetje një ditë më parë për më shumë se 7 orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.
Ajo ka rrëfyer se Klosi kishte tetë shtëpi, dy në Shëngjin, një në Sarandë dhe pesë në kryeqytet.
Në disa prej tyre ajo kishte takuar jo vetëm njerëz të panjohur, por dhe Arben Ahmetajn, duke rrëfyer se Klosi kishte marrëdhënie personale me ish-ministrin.
Burime për Top Channel thonë se ajo ka rrëfyer se ka parë kuti me para në shtëpinë e Klosit dhe se ajo e kishte pyetur se çfarë duhej të bënte me to dhe i kishte kërkuar ndihmë pastrueses se si duhej t’i fshihte.
“Pashë shumë para, kam pastruar tetë shtëpi. M’i la t’i fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti, i sillnin me kuti, në batanije”, cituan burimet e gazetares Hoxha të ketë rrëfyer pastruesja.
Tashmë do të duhet të vërtetohet se paratë e kujt pastroi Alda Klosi dhe pritet të ushtrohet kontroll në banesat e saj.
Sipas këtyre burimeve, pasi të ezaurohen disa veprime të domosdoshme hetimore, pritet që dosja të kalojë për kompetencë në SPAK, pasi Dobi ka folur për ish ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, njofton policia.
Krimi i pastrimit të parave u zbardh pas denoncimit që bëri në polici ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj. Ajo deklaroi se në banesën e marrë me qira tek “Rruga e Kosovarëve” më 15 dhjetor i ishin grabitur 120 mijë euro dhe e dyshuara kryesore ishte ish-pastruesja e saj Rozeta Dobi.
Nga dialogu i tyre, policia ushtroi edhe një herë kontroll ku në tubin e aspiratorit gjeti më shumë se 400 mijë euro dhe bizhuteri floriri. Para uniformave blu Rozeta Dobi më herët ka dëshmuar se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte. Ndërkohë enigmë ka mbetur fakti se cili është burimi i këtyre shumave të mëdha të parave.
Top Channel