Balona spiune kineze fluturon mbi SHBA, zyrtarët paralajmërojnë Biden: Mos e rrëzoni!

03/02/2023 08:37

Autoritetet amerikane janë vënë në ndjekje të një objekti që dyshohet të jetë një “balonë përgjimi” kineze e që po fluturon prej disa ditësh mbi SHBA.

Megjithatë, presidenti Joe Biden është këshilluar të mos urdhërojë rrëzimin e saj, nga frika se copat që do të bien  mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë. Zyrtarë të mbrojtjes shprehen të bindur se balona që fluturon në një lartësi të konsiderueshme, vjen nga Kina me qëllim survejimi. Më së fundi, ajo është parë mbi shtetin perëndimor të Montanës.

Pekini vetë paralajmëroi të bëhet kujdes me spekulimet deri në verifikimin e plotë të fakteve. Kanadaja po ashtu pohoi se po monitoron një incident të dytë të mundshëm që përfshin një balonë përgjimi, por nuk tha se cili vend qëndron pas saj. Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha në botë, kanë qenë të tensionuara kohët e fundit, me përplasje për shkak të Tajvanit, gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë, si edhe aktivitetit të saj ushtarak në Detin e Kinës Jugore.

Pas disa ditësh, Pekinin pritet ta vizitojë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Uashingtoni e ka gjurmuar balonën që kur ajo hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së disa ditë më parë, duke e mbikqyrur atë me avionë ushtarakë amerikanë.

Zyrtarët nuk pranuan të thonë se në çfarë lartësie po fluturonte balona, por pranuan se po funksiononte mbi trafikun ajror civil dhe nën “pjesën e jashtme të hapësirës”. Balona përgjuese kanë fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara disa herë vitet e fundit, por kjo balonë duket se ka qarkulluar më gjatë se në rastet e mëparshme.

 

Top Channel