Të tjera sanksione përgatiten të vendosën ndaj Rusisë, në mesin e përpjekjeve të Europës për të ndërprerë lidhjet e saj energjetike me këtë vend duke i ndaluar importet e naftës dizel dhe të produkteve të tjera nga nafta e papërpunuar ruse.

Bllokada e radhës e BE-së do të hyjë në fuqi më 5 shkurt, pas embargos së saj mbi qymyrin dhe pjesën më të madhe të naftës nga Rusia.

Me këto veprime, blloku prej 27 vendesh po përpiqet ta kufizojë financimin e luftës ruse në Ukrainë, që tashmë hyn në vitin e dytë. Por një masë e tillë vjen me pasoja.

Çmimet e naftës dizel janë rritur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar dhe ato mund të rriten sërish. “Ne po i lëmë paratë në rrugë për të ofruar shërbimet tona”, thotë Hans-Dieter Sedelmeier nga kompania gjermane e autobusëve dhe udhëtimeve, Rast Reisen.

Shumica e mallrave të konsumit transportohen në një moment të caktuar me kamionë, të cilët funksionojnë kryesisht me naftë dizel. Me këtë naftë funksionojnë edhe pajisjet e fermave, autobusët e qytetit dhe pajisjet industriale. Dizeli, si nafta e papërpunuar, shitet globalisht, dhe Europa mund të kërkojë burime të reja, të tilla si SHBA-ja, India ose vendet në Lindjen e Mesme.

Nëse ajo ia del mbanë t`i sigurojë këto burime, atëherë ndikimi në çmime mund të jetë i përkohshëm, por kjo do të arrihet vetëm nëse gjen furnizues të rinj. Europa thuajse i ka përgjysmuar importet e naftës ruse – nga 50% e totalit që ishte para luftës, në 27%.

Furnizuesit amerikanë i kanë rritur ndërkohë furnizimet në nivele rekorde – nga 34.000 fuçi në ditë në fillim të vitit 2022, në 237.000 fuçi në ditë në janar të këtij viti, sipas kompanisë S&P Global.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA