SHBA,valë sanksionesh: Goditen individë e kompani nga Europa, në Azi e Lindjen e Mesme

02/02/2023 11:38

Shtetet e Bashkuara njoftuan një raund të ri sanksionesh kundër zyrtarësh e biznesesh që akuzohen se kanë ndihmuar Rusinë të sigurojë armë e të shmangë masat e mëhershme të vendosura kundër Kremlinit që prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës një vit më parë.

Shenjestra kryesore e tyre është një tregtar armësh, i konsideruar dhe si lideri i rrjetit, Igor Zimenkov, djali i tij dhe disa anëtare të tjerë të grupit që furnizonte Moskës me pajisje të teknologjisë së lartë. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, Zimenkov dhe bashkëpunëtorët e tij janë përfshirë në një sërë “marrëveshjesh sigurie kibernetike me Rusinë e shitjeje helikopterësh”, dhe kanë pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me eksportuesin rus të armëve, Rosoboronexpor.

Kompanitë e prekura nga sanksionet amerikane janë të lidhura me “rrjetin Zimenkov” në Singapor, Qipro, Bullgari dhe Izrael, mes disa vendeve të tjera. “Përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të përdorur palë të treta, për anashkalimin e sanksioneve amerikane, tregojnë se sanksionet e kanë bërë shumë më të vështirë dhe më të kushtueshme për industrinë ushtarake ruse që të furnizojnë makinerinë ushtarake të Putinit”, tha Zëvendës Sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Në total, Departamenti i Thesarit vuri sanksione ndaj 22 individëve dhe organizatave, për të cilët tha se kanë mbështetur makinerinë ushtarake ruse. Gjatë vitit të kaluar janë sanksionuar më shumë se 100 individëve dhe subjekteve të angazhuara në aktivitete për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe kontrollit të eksporteve ndaj Rusisë. Masa bllokon çdo llogari që posedojnë subjektet në Shtetet e Bashkuara dhe i ndalon ato të bëjnë biznes me amerikanë apo në SHBA.

Top Channel