Numri i lartë i viktimave/ Wallace: Rusët përdorin taktika të Luftës së Parë Botërore

02/02/2023 20:20

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se Rusia po pëson humbje të mëdha kundër Ukrainës për shkak të përdorimit të taktikave të Luftës së Parë Botërore.

“Ata po përdorin taktika të kohës së Luftës së Parë Botërore, prandaj kanë shumë viktima”, deklaroi Wallace.

Në një konferencë për shtyp në Portsmouth, gazetarët e pyetën ministrin britanik për dërgimin e mundshëm të aeroplanëve luftarakë britanikë tek ushtria ukrainase.

Ai u përgjigj se “nuk ka shkop magjik” që mund ta ndihmojë Kievin të luftojë Moskën, raporton skynews.

“Lidhur me aeroplanët, një gjë që kam mësuar gjatë vitit të kaluar është të mos premtoni asgjë dhe të mos përjashtoni asgjë. Është një realitet i thjeshtë. Ne po u përgjigjemi nevojave aktuale të ukrainasve, bazuar në atë që ata po na tregojnë dhe atë që ne dimë nga inteligjenca jonë për ushtrinë ruse”, tha ministri.

Ndryshe, shumë shtete perëndimore kanë konfirmuar se do ta furnizojnë ushtrinë ukrainase me tanke luftarake.

Top Channel