BE, samit në Ukrainë! Hera e parë që zhvillohen bisedime në një territor lufte

02/02/2023 15:50

Në një simbol të qartë mbështetjeje për Ukrainën, është vendosur për të parën herë në historinë e BE-së që një samit mes saj dhe një vendi kandidat zhvillohet në një zonë lufte.

Një delegacion i bllokut europian prej 16 komisionerësh, më i madhi që nga fillimi i agresionit rus, u nis drejt Kievit. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen mbërriti përpara samitit, për të cilin edhe kryediplomati i BE-së Josep Borrell si dhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel, ndërmarrin një udhëtim të rrezikshëm me tren për të zhvilluar nga afër bisedime me qeverinë ukrainase.

Të premten zhvillohet zyrtarisht takimi i nivelit të lartë në Kiev – i pari samit në një territor lufte. Në krah të presidentit ukrainas Volodimir Zelensky, Von der Leyen premtoi masa të tjera të rrepta kundër Moskës.

“Do të paraqesim, së bashku me partnerët tanë të G7-tës, një tavan shtesë mbi çmimin e produkteve ruse të naftës. Deri në 24 shkurt, saktësisht një vit që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në Ukrainë, ne synojmë të kemi të plotësuar paketën e 10-të të sanksioneve”, u shpreh Von der Leyen.

Marie Dumoulin, nga think tank-u “European Council on Foreign Relations”, i konsideron këto takime në Kiev si sinjalin e qartë që perëndimi kërkon të përcjellë: “Ne nuk kemi frikë të vijmë tek ju. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë për juve.” Në rend të ditës do të jenë kryesisht mbështetja e mëtejshme ushtarake dhe financiare nga Bashkimi Europian për Ukrainën.

BE dhe vendet anëtare i kanë vënë në dispozicion deri tani Ukrainës armë dhe pajisje ushtarake në vlerën 11,5 miliardë euro. Sivjet , Brukseli do të verë në dispozicion edhe 18 miliardë euro mbështetje financiare, në mënyrë që qeveria në Kiev të mund të vazhdojë të paguajë pensionet dhe pagat në sektorin e shërbimeve publike.

Top Channel