Shisnin celularë kontrabandë në pesë dyqanet e tyre në kryeqytet, arrestohen dy vëllezërit

31/01/2023 10:09

Dy vëllezër që tregtonin celularë kontrabandë në pesë dyqane të kryeqytetit janë vënë në pranga këtë të martë.

Ferdinand dhe Erinin Kafeja i kishin regjistruar dyqanet që ndodhen në rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, në emër të familjarëve për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.

763 aparate celulare që dyshohet se janë të kontrabanduar janë sekuestruar gjithsej. Në pranga kanë rënë administratorët dhe dy dyqaneve, Denis Myrteza dhe Izabela Buzi, ndërsa janë shpallur në kërkim administratorët e dy dyqaneve të tjera.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, se dy shtetas tregtonin në dyqanet e tyre, aparate celulare të kontrabanduara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avoid”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:

F. K., 38 vjeç dhe E. K., 33 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve;

D. M., 38 vjeç dhe I. B., 25 vjeçe, administratorë të 2 prej këtyre dyqaneve, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratorët e 2 dyqaneve të tjera, shtetasit F. I., 37 vjeç dhe R. M., 45 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit F. K. dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto dyqane, më rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 763 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Top Channel