“Demonët më thanë ta bëja”, 18-vjeçarja vritet me thikë dhe fshihet në bagazhin e makinës, në pranga i dashuri dhe nëna e tij

21/08/2026 21:05

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pensilvaninë, ku një studente 18-vjeçare u vra me thikë nga i dashuri i saj, i cili më pas dyshohet se i kërkoi ndihmë nënës për të fshehur trupin dhe për të pastruar provat.

Karoline Heintz u gjet e pajetë në bagazhin e një makine të braktisur dhe të njollosur me gjak, pranë kampusit të Universitetit PennWest, në California Borough.

Sipas policisë, të mërkurën në mbrëmje, 19 gusht, Heintz u takua me të dashurin e saj, Royce Mosher, në North Strabane Township. Të dy po diskutonin për marrëdhënien e tyre dhe për mënyrën se si do të vijonte ajo, ndërsa Karoline po përgatitej të niste vitin e parë në ekipin e futbollit të femrave të universitetit.

Gjatë bisedës, situata dyshohet se u përshkallëzua. Mosher i tha Heintz se kishte diçka për të, shkoi në kuzhinë dhe mori një thikë. Pak minuta më vonë, ai u kthye te automjeti dhe e goditi të renë me thikë në gjoks.

Pas vrasjes, sipas autoriteteve, Mosher e futi trupin e të dashurës në bagazhin e makinës dhe shkoi në shtëpinë e nënës së tij, 57-vjeçares, për t’i kërkuar ndihmë.

Policia tha se të dy u përpoqën të pastronin rrobat dhe makinën, duke hequr sa më shumë njolla gjaku. Më pas, ata udhëtuan drejt California Borough, ku automjeti u la pranë bibliotekës.

Ndërkohë, familja e Karoline Heintz kishte njoftuar policinë, pasi 18-vjeçarja nuk ishte kthyer në konvikt dhe nuk kishte komunikuar me familjarët. Autoritetet nisën kërkimet dhe pak më vonë gjetën trupin e saj në bagazhin e automjetit.

Sipas policisë, Mosher u tha hetuesve se ishte “i pushtuar nga një demon” dhe se “demonët” i kishin thënë të kryente vrasjen.

I riu u arrestua të enjten në mëngjes dhe përballet me akuzat për vrasje, dy akuza për manipulim provash, dy akuza për përdhosje të një kufome dhe pengim të drejtësisë.

Edhe nëna e tij u arrestua dhe u akuzua për manipulim provash, pengim të drejtësisë, pengim të kapjes së një të arratisuri dhe përdhosje të një kufome.

Gjatë shoqërimit nga policia, gruaja u shpreh se “nuk e bëri ajo” dhe i kërkoi falje familjes së viktimës.

“Më vjen keq që djali im mori një jetë”, deklaroi ajo.

Universiteti PennWest reagoi pas ngjarjes tragjike, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe miqtë e 18-vjeçares.

“Universiteti PennWest shpreh hidhërimin e tij më të thellë për vdekjen tragjike të Karoline Heintz, e cila ishte studente e vitit të parë. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, thuhet në reagimin e universitetit.

Top Channel