Pas Gjermanisë, edhe SHBA-ja deklarojnë se nuk do të nisin avionë luftarakë F-16 në Ukrainë. Dy vendet perëndimorë kanë treguar të gatshme të ndihmojnë Kievin në luftën kundër agresionit rus, por kërkojnë në të njëjtën kohë të shmangin perspektivën e përfshirjes së NATO-s në një konflikt të hapur ushtarak me Moskën.

“Jo”, tha Joe Biden kur u pyet nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse është në favor të dërgimit të avionëve, të cilët udhëheqësit e Ukrainës kanë thënë se janë në krye të listës së tyre të fundit me kërkesat për armë. Vendet perëndimore këtë muaj më në fund ranë dakord për t’i dërguar Ukrainës tanke moderne të standardit të NATO-s, një nga armët më të fuqishme në ushtritë e tyre konvencionale.

Vendimi për dërgimin e tankeve ngjalli shpresë në Kiev se së shpejti Perëndimi do të fillojë të dërgojë në Ukrainë edhe avionë luftarakë F-16, por për këtë ende po zhvillohen debate të forta. Në mbështetje të kësaj ideje ka dalë për momentin vetëm Franca. Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron tha se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shtoi se duhen përmbushur disa kritere para se të merrej një vendim i tillë.

“Asgjë nuk përjashtohet, megjithatë ka disa kushte. Në mesin e tyre, janë edhe garancitë se dërgimi i avionëve nuk do të çonte në një përshkallëzim të tensioneve, se ata nuk do të preknin territorin rus dhe se dërgimi i tyre nuk do të dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”, u shpreh Macron.

Franca i ka dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë automjete të blinduara, por nuk ka ofruar tanke ose armatime më të rënda. Macron shtoi se Ukraina do të duhet t’i kërkojë zyrtarisht avionët, dhe vuri në dukje se shumë shpejt, do të takohet në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Top Channel