Sulm me armë ambasadës së Azerbajxhanit në Iran; vritet shefi i sigurisë

28/01/2023 14:38

Një person i armatosur sulmoi të premten ambasadën e Azerbajxhanit në kryeqytetin e Iranit dhe vrau shefin e saj të sigurisë.

Sulmuesi, i armatosur me një automatik kallashnikov, plagosi edhe dy roje të sigurisë.

Policia në Teheran tha se autori u arrestua.

Shefi i policisë së Teheranit, Gjeneral Hossein Rahimi, tha se i dyshuari është i shtetësisë iraniane dhe se mendonte se bashkëshortja e tij me origjinë nga Azerbajxhani po mbahej në ambasadë.

Ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian tha se motivi i sulmuesit ishte personal.

Ai i tha ministrit të jashtëm azerbajxhanas Jeyhun Bayramov gjatë një telefonate se shpresonte që sulmi nuk do të dëmtonte lidhjet dypalëshe, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Njoftimet e para në mediat iraniane thanë se sulmuesi hyri në ambasadë së bashku me dy fëmijë të vegjël. Megjithatë, filmimet e kamerave të sigurisë të publikuara në Azerbajxhan, tregojnë se personi i armatosur hyri i vetëm në ndërtesë.

Në filmime gjithashtu duket një oficer iranian i sigurisë që nuk veproi për ta ndalur sulmin.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e quajti sulmin një “akt terrorist”.

“Terrori ndaj misioneve diplomatike është i papranueshëm!”, tha ai në një deklaratë dhe bëri thirrje që i dyshuari të hetohet dhe të dënohet me shpejtësi.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit akuzoi Iranin se nuk bën mjaftueshëm për të siguruar objektin diplomatik dhe tha se do të evakuonte ambasadën.

“Më parë, ka patur përpjekje për të kërcënuar misionin tonë diplomatik në Iran dhe vazhdimisht i është ngritur çështja Iranit, për të marrë masa për të parandaluar raste të tilla dhe për të garantuar sigurinë e misioneve tona diplomatike”, tha Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit.

“Fatkeqësisht, sulmi i fundit i përgjakshëm terrorist tregon pasojat serioze të mos tregimit të ndjeshmërisë së duhur ndaj thirrjeve tona urgjente në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu e dënuan sulmin.

“I bëjmë jehonë thirrjes së Presidentit Aliyev për një hetim të shpejtë mbi këtë dhunë të papranueshme”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Azerbajxhani ka patur marrëdhënie të vështira diplomatike me Iranin. Ish-republika sovjetike është një aleate e ngushtë e rivales historike të Iranit, Turqisë. Azerbajxhani ka gjithashtu lidhje miqësore me Izraelin, një tjetër kundërshtar i Iranit, dhe këtë muaj emëroi ambasadorin e tij të parë në Izrael.

Në Iran jetojnë miliona azerbajxhanë etnikë turqishtfolës.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe AFP.

Top Channel