SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës tanke M1 Abrams

25/01/2023 18:38

31 tanke të avancuara Abrams do të dërgojë SHBA në Ukrainë, një hap ky që hidhet pak pasi Gjermania pranoi të nisë edhe ajo tanket e saj Leopard 2 drejt vendit të përballur prej kohësh me agresionin e Rusisë.

Të dy këto vendime përbëjnë hapin e parë të një përpjekje të koordinuar të Perëndimit për të siguruar armatime të rënda për të ndihmuar Kievin të thyejë bllokimet luftarake teksa shënohet muaji i 12-të i agresionit rus.

Presidenti Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 31 tanke “Abrams” në Ukrainë, vendim që rrëzon këmbënguljen e vazhdueshme të Uashingtonit se trupat ukrainase e kishin të vështirë përdorimin dhe mirëmbajtjen e tankeve amerikane.

14 tanke Leopard ka premtuar Berlini zyrtar. Autoritetet gjermane kishin deklaruar se nuk do dërgonin tanket Leopard nëse Shtetet e Bashkuara nuk dërgonin tanket Abrams, pasi nuk donin të shkaktonin zemërimin rus pa siguruar angazhimin e njëjtë edhe nga Uashingtoni.

“Vendimi vjen si rezultat i konsultimeve të gjëra me aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë” deklaroi përpara Bundestagut kancelari gjerman Olaf Scholz. Presidenti Biden tha se aleatët europianë kanë rënë dakord për të dërguar 62 tanke në total.

“Ndërsa afrohet pranvera, forcat ukrainase po përgatiten të mbrojnë territorin e tyre dhe për të përballuar një shtim të sulmeve. Për të çliruar vendin e tyre, këto forca duhet të jenë në gjendje t’i përgjigjen taktivave dhe strategjisë ruse në fushë betejë”, tha Biden.

Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar prej shumë kohësh tanke moderne nga Perëndimi, u shpreh i kënaqur me lajmin, e tha se tanket kryesore gjermane padyshim do ta forcojnë sistemin tonë mbrojtës të Ukrainës.

Top Channel