Protestuesit mes gazit lotsjellës në Peru, kërkojnë largimin e presidentes Boluarte (fotot)

24/01/2023 18:40

Policia me veshje të rënda lëshonte sot gaz lotsjellës ndaj protestuesve anti-qeveritarë në një valë të re trazirash në kryeqytetin e Perusë.

Ministri i brendshëm tha se nuk kishte ende fund të zemërimit që ka përfshirë vendin, teksa qindra njerëz marshuan në qendër të Lima duke kërkuar largimin e presidentes Dina Boluarte.

Shumë prej demonstruesve thërrisnin “Dina vrasëse!” duke iu referuar dhjetra viktimave të lëvizjes, teksa policia lëshonte gaz lotsjellës ndaj tyre.

Të paktën 46 njerëz kanë humbur jetën që prej nisjes së protestave më 7 dhjetor kur demonstruesit kundërshtonin qeverinë e instaluar pas shkarkimit të ish-presidentit Pedro Castillo.

Demonstruesit kërkojnë zgjedhje të reja dhe lirimin e Castillo, ish-mësuesit sindikalist, fitues surprizë i zgjedhjeve në 2021.

Në kryeqytetin Lima qeveria e drejtuar nga Dina Boluarte, ish-zëvendësja e Castillo, ka shtuar fuqitë e policisë për të ndaluar protestat.

Protestuesi Manuel Alegría, tha për rrjetin AFP: “Sipas kushtetutës ne mund të marshojmë paqësisht në të gjitha rrugët e vendit, përse po e bën policia këtë?”

“Ata po na shtypin, po na refuzojnë të drejtat tona kushtetuese”.

Protestuesja avokate Marisol, shtoi: “Nuk duam më të vdekur. Sa njerëz janë të shtruar në spitale duke vuajtur pasojat e qeverisë së tyre? Çfarë kërkojnë ata, të nisin luftë civile në Peru”.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA