Polonia mund t’i dërgojë tanke gjermane Ukrainës edhe pa miratimin e Berlinit

23/01/2023 16:34

Kryeministri polak, Mateush Morawiecki tha se miratimi i Berlinit për dërgimin e tankeve gjermane, Leopard 2 në Ukrainë është i një rëndësie dytësore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk arritën gjatë bisedimeve në Gjermani javën e kaluar të bindnin Berlinin që t’i sigurojë Ukrainës tanket Leopard, një nga kërkesat kryesore të Kievit teksa përballet me sulmet e vazhdueshme nga forcat ruse. Ndërkohë sipas njoftimeve, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e mbajtur sot në Bruksel miratuan një pako të re ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 500 milionë eurove.

Polonia po kërkon që vendet që kanë tanke luftarake të prodhimit gjerman, Leopard t’i dërgojnë në Ukrainë, edhe nëse Gjermania nuk dëshiron t’i bashkohet.

“Ne do të kërkojmë miratimin e Gjermanisë, por kjo është një temë dytësore. Edhe nëse nuk e marrim këtë pëlqim, si pjesë e një koalicioni të vogël, ne do t’i dorëzojmë përsëri tanket tona së bashku me prodhime të tjera në Ukrainë. Kushti për ne për momentin është të ndërtojmë të paktën një koalicion të vogël shtetesh dhe për këtë çështje, së bashku me Presidentin polak Duda, zëvendëskryeministrin Blaszczak, po kontaktojmë partnerët tanë në Evropën Perëndimore”, tha kryeministri polak, Morawiecki.

Kryeministri polak theksoi komentet e Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila tha se Gjermania nuk do të pengonte nëse Polonia dërgonte tanket gjermane Leopard 2 në Ukrainë.

Gjermania momentalisht ka mbi 350 Leopardë aktivë dhe rreth 200 rezervë, sipas kryeministrit polak dhe shtoi se për këtë arsye Gjermania vërtet mund të ndihmojë Ukrainën.

Protestuesit u mblodhën në mbështetje të Ukrainës nnë përfundim të takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, duke bërë thirrje që Evropa të furnizojë Kievin me tanke.

Të hënën, BE-ja shqyrtoi dhe sipas njoftimeve ka miratuar dërgimin e një pakoje të re ushtarake prej 500 milionë eurosh për Kievin.

Ministrat janë duke e diskutuar edhe pakon e 10-të të sanksioneve që do të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm kundër Rusisë, megjithëse nuk priten vendime në takim./Voa

Top Channel