Ish-agjenti i kundërzbulimit në FBI ndihmoi oligarkun rus

23/01/2023 21:52

Ndaj një ish-zyrtari të lartë të kundërzbulimit në FBI janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, në shkelje të sanksioneve amerikane.

Gjithashtu, ndaj tij janë ngritur akuza të tjera në kuadrin e një procesi tjetër hetimor, për shkak se mori para të thata nga një ish-oficer i shërbimeve të sigurisë të një vendi tjetër.

Charles McGonigal, agjenti special që drejtonte divizionin e kundërzbulimit në Nju Jork gjatë periudhës 2016-2018, akuzohet në një padi të bërë të njohur të hënën se bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që tashmë punonte si përkthyes për miliarderin rus Oleg Deripaska.

McGonigal, i cili drejtonte hetimet për oligarkët rusë, përfshirë për zotin Deripaska, përpara se të dilte në pension në vitin 2018, akuzohet se punoi për të hequr sanksionet ndaj tij në vitin 2019 dhe se mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival.

McGonigal, 54 vjeç, dhe përkthyesi Sergey Shestakov, 69 vjeç, u arrestuan të shtunën. McGonigal u ndalua pasi zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar “John F. Kennedy”. Ata pritet të dalin të hënën përpara gjykatës në Manhatan dhe po mbahen në burgun federal në Bruklin.

McGonigal dhe Shestakov akuzohen për shkelje, si dhe për konspiracion për të shkelur Ligjin për Autorizimin për Emergjencat Ekonomike Ndërkombëtare, për konspiracion për pastrim parash dhe për pastrim parash. Shestakov akuzohet gjithashtu se ka bërë deklarata të rreme për FBI-në.

Top Channel