Marshimi i parë për jetën pas rrëzimit të vendimit historik të Gjykatës së Lartë mbi abortin

20/01/2023 21:10

Kundërshtarët e abortit mbajtën marshimin e parë për jetën në Uashington të premten në mbështetje të vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar një vendim të saj, të vitit 1973, në atë që njihet si rasti Roe kundër Wade, i cili mbronte të drejtën për abort.

Pas vendimit, Presidenti Joe Biden u zotua të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të rikthyer këtë të drejtë.

Pjesëmarrësit në marshimin për jetën, u zotuan se do të rrisin përpjekjet për realizimin e synimeve të tyre në Kongres.

Udhëheqësit e lëvizjes kundër abortit thonë se planifikojnë të paralajmërojnë Kongresin kundër çdo përpjekjeje për të kufizuar ligjet e shumta kundër abortit, të miratuara vitin e kaluar në një numër shtetesh.

Mijëra njerëz marshuan në Parkun Kombëtar të Uashingtonit, që shtrihet përballë Kapitolit, ndërtesa e Kongresit amerikan.

“Ne e kthyem në dorën e popullit politikën e abortit, e kthyem atë në dorën tuaj”, tha në marshim Prokurorja e Përgjithshme e Misisipit, Lynn Fitch, zyra e së cilës paraqiti argumentat në rastin që përmbysi vendimin Roe kundër Wade.

Presidenti Biden ka ofruar argumentet e tij kundër ndryshimit të ligjit përmes një deklarate për nder të 50 vjetorit të vendimit Roe kundër Wade që është të dielën më 22 janar. “Asnjëherë më parë Gjykata nuk u ka hequr një të drejtë kaq themelore amerikanëve”, thuhet në deklaratën e tij. “Përmes këtij vendimi, gjykata ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e grave në të gjithë vendin”.

Presidenti Biden tha se do të përdorë kompetencat e tij ekzekutive në çfarëdo mënyre që mundet, për të mbrojtur të drejtën e abortit, ndërsa i kërkoi Kongresit që të miratojë një ligj për këtë çështje.

Marshimi për jetën dukej më i vogël se në vitet e kaluara, por kishte shenja të shumta që e dallonin atë nga marshimet e mëparshme sikurse entuziazmi i pjesëmarrësve, numri i madh i të rinjve nga shkollat katolike anembanë vendit si dhe sloganet që përfaqësonin kisha të ndryshme dhe mesazhe fetare.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy shprehu mbështetjen e tij përmes një deklarate duke premtuar se shumica e re republikan do të mbështesë kundërshtarët e të drejtave të abortit.

“Ndërsa të tjerët ngrenë zërin me zemërim dhe urrejtje, ju marshoni me lutje, vullnet të mirë, shoqëri, dhembshuri dhe përkushtim në mbrojtje të më të pambrojturve në këtë vend”, tha zoti McCarthy.

Aktivistët kundër abortit tani po bëjnë një fushatë për të miratuar një ligj në Kongres, që tani duket e pamundur. Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, do të mund të miratonte një ligj kundër abortit, ai me shumë gjasë do të bllokohej nga Senati, i kontrolluar nga demokratët.

Në mungesë të një ligji federal, çështja e mbrojtjes së të drejtave të abortit ka kaluar tashmë në duart e shteteve.

Që nga qershori, janë miratuar dhe zbatuar ligje që ndalojnë pothuajse tërësisht abortin në Alabama, Arkansas, Ajdaho, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Mizuri, Oklahoma, Dakotën e Jugut, Tenesi, Teksas dhe Virxhinian Perëndimore. Në disa prej këtyre shteteve zbatimi i kufizimeve është pezulluar përkohësisht në pritje të shqyrtimit të padive ligjore të ngritura nga mbështetësit e të drejtës së abortit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA