Francë/ Ministri sfidon protestuesit: Grevat nuk na e dëmtojnë ekonominë!

20/01/2023 10:59

Qindra mijëra vetë protestuan në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze një ditë më parë teksa grevat mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit, vazhdojnë.

Por presidenti Emmanuel Macron këmbënguli se nuk do të heqë dorë nga plani i reformave. Së fundi, sfidues ndaj protestuesve u shfaq dhe ministri i ekonomisë, Bruno Le Maire i cili tha për televizionin Bloomberg se veprimet e protestuesve, nuk e dëmtojnë aspak ekonominë e vendit.

“Nuk mendoj se grevat do të kenë ndikim shumë të madh në ekonominë franceze”, ka thënë Le Maire në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar se ekonomia franceze është “duke ia dalë mirë”.

“Nuk tërhiqemi nga plani ynë. Ne besojmë me forcë se kjo reformë është e nevojshme për Francën. Është mënyra më e mirë për të siguruar më shumë prosperitet për popullin francez”, shtoi le Maire.

Grevat mbarëkombëtare shkaktuan ndërprerje të transportit, mësimit dhe shërbimeve e tjera publike në të gjithë Francën. Sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për protesta të reja në 31 janar. Reforma duhet të miratohet në Parlament, ku Macroni ka humbur shumicën, por që shpreson në miratim me mbështetjen e konservatorëve.

Top Channel