Raportimet nga Afganistani thonin sot se zyrtarët Talibanë i kanë prerë dorën katër hajdutëve ordinerë në një stadium futbolli në juglindje.
Zhvillimi vjen teksa islamistët radikalë kanë akuzuar princin britanik Harry për krime lufte pas pranimeve të tij në një libër autobiografik se ka vrarë 25 luftëtarë afganë gjatë kohës që shërbente në ushtri.
Talibanët kanë kryer gjithashtu goditje publike me kamzhik teksa imponojnë versionin ekstrem të fesë islame në Afganistan, që prej ardhjes në pushtet vitin e kaluar, shkruan rrjeti britanik The Sun.
Sipas rrjetit vendas 8am, hajdutëve iu pre dora në stadiumin e Kandahar para një turme të madhe.
Ndërsa nëntë burra u goditën me kamzhikë për krime të ndryshme, njoftoi Haji Zaid, zëdhënës i zyrës së guvernatorit.
Secili prej të dënuarve u godit 35 deri në 39 herë me kamzhik përpara zyrtarëve talibanë, liderëve fetarë, të vjetërve dhe banorëve lokalë.
Pamjet nga vendngjarja tregonin një grup njerëzish të ulur në bar, me sa duket duke pritur dënimin e tyre.
Gazetari afgan Tajuden Soroush postoi një pamje të skenave në stadium duke komentuar: “Historia përsëritet, ashtu si në vitet 1990-të Talibanet kanë nisur dënimet publike.”
Muajin e kaluar u raportua se Talibanët ekzekutuan një burrë për vrasje, në ekzekutimin e parë publik që prej rikthimit në pushtet.
Ekzekutimi u krye me automatik nga babai i viktimës në provincën perëndimore Farah i ndjekur nga qindra spektatorë dhe zyrtarë talibanë.
Më herët zyrtarët talibanë quanin princin Harry “i dështuar” pas pohimeve të tij se ka vrarë 25 luftëtarë afganë gjatë misioneve të tij ushtarake atje në vitin 2012, ku ka shërbyer me helikopterët luftarakë Apache.
Komentet e tij në librin autobiografik janë quajtur ‘të pamenduara’ nga opinionistët sidomos pas rikthimit të talibanëve në pushtet me largimin e papritur të SHBA nga vendi në verën e 2021.
Top Channel