Situata e sulmeve në Ukrainë, Zelensky: Dimri ka ngadalësuar përparimin në luftë

18/01/2023 17:59

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se lufta ka vijuar prej muajsh, ndërsa dimri ka ndikuar negativisht duke ngadalësuar përparimin.

“Lufta nuk duket mirë, nuk ka qenë mirë që nga fillimi, dhe në dimër ngadalësohet për rajone të njohura të kuptueshme. Të gjithë lodhen – natyra, njerëzit dhe falë Zotit, armiku gjithashtu”, tha ai.

Ai tregoi për luftimet e përditshme në lindje, duke theksuar se përparimi është ngadalësuar.

“Ne po qëndrojmë fuqishëm, me vendosmëri. Unë u jam mirënjohës të gjithë luftëtarëve tanë, të gjallëve dhe atyre që kemi humbur për trimërinë e tyre. Është vërtet e vështirë, por edhe brenda kombit jemi të fortë… Jemi të bashkuar, jemi të organizuar, sepse jemi të motivuar, nuk ishim ne që e filluam luftën, por ishim ne që do të duhet ta mbyllim”, shtoi më tej Zelensky.

Presidenti ukrainas falënderoi aleatët perëndimorë për mbështetjen e tyre në municione dhe ekonomi, e cila sipas tij do të sigurojë suksesin e Ukrainës në luftë.

Top Channel