Arsenal duket këtë sezon në një rrugë të mbarë për të rikthyer titullin në Emirates Stadium plot 19 vite më pas.
“Topcinjtë” udhëheqin Premier League me tetë pikë diferencë nga ndjekësit më të afërt, Manchester City. Triumfi i fundit në derbi ndaj Tottenham me rezultatin 2-0 ishte një tjetër provë e kaluar me sukses nga të besuarit e trajnerit Mikel Arteta që po bën një punë të shkëlqyer në drejtimin e “The Gunners”.
Mirëpo, tekniku spanjoll dhe skuadra e Arsenal nuk janë një surprizë për Jose Mourinhon, i cili tre vite më parë kur drejtonte Tottenham, pas një ndeshje të fituar kundër “Topcinjve” u shpreh se ata do të riktheheshin shpejt në majë.
“Taktikisht janë shumë të zotë, ishin të organizuar dhe ndërtonin me katër lojtarë e nga ana tjetër mbronin me pesë. Kanë një shpirt të madh si skuadër, na shkaktuan probleme sepse janë një ekip shumë i mirë dhe Arteta është një trajner shumë i mirë.
Mediat sërish do t’i sulmojnë por unë besoj se me këta lojtarë dhe me Artetën në krye, Arsenal do të rikthehet shumë shpejt të bëjë Arsenalin”, shprehej Mourinho para tre viteve, teksa fjalët e tij duket se përmbushen në 100% këtë sezon ku “Topcinjtë” po shkëlqejnë javë pas jave.
Top Channel