Popullsia e Kinës bie për herë të parë që nga viti 1961

17/01/2023 14:15

Popullsia e Kinës ka rënë për herë të parë në 60 vjet, me normën kombëtare të lindjeve që ka arritur një rekord të ulët – 6.77 lindje për 1000 njerëz.

Popullsia në 2022 – 1.4118 miliardë – ra me 850,000 nga 2021.

Shkalla e lindjeve në Kinë ka qenë në rënie prej vitesh, duke nxitur një sërë politikash në përpjekje për të ngadalësuar trendin.

Por shtatë vjet pas heqjes së politikës së një fëmije, ajo ka hyrë në atë që një zyrtar e përshkroi si një “epokë të rritjes negative të popullsisë”.

Shkalla e lindjeve në 2022 ishte gjithashtu në rënie nga 7.52 në 2021, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, e cila publikoi shifrat të martën.

Në krahasim, në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara regjistruan 11.06 lindje për 1000 njerëz, dhe Mbretëria e Bashkuar, 10.08 lindje. Shkalla e lindjeve për të njëjtin vit në Indi, e cila është gati të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë, ishte 16.42.

Vdekjet gjithashtu tejkaluan lindjet për herë të parë vitin e kaluar në Kinë. Vendi regjistroi shkallën e tij më të lartë të vdekjeve që nga viti 1976 – 7.37 vdekje për 1000 njerëz, nga 7.18 një vit më parë.

Top Channel