Masa të rrepta për ceremoninë mortore të ish-mbretit në Greqi, të shumtë “gjakblutë” që do shkojnë

15/01/2023 13:19

 

Në një takim të  zgjeruar të gjithë krerëve të policisë greke si dhe të vetë ministrit të Mbrojtjes së qytetarit janë përcaktuar masat konkrete të organeve të Rendit , për varrimin e ish monarkut të Greqisë Konstantinos Gliksburg që vdiq në moshën 82 vjeç të martën e kaluar.

Sipas njoftimit përkatës për shkak të rëndësisë së ngjarjes , interesit ndërkombëtar dhe ndikimit në imazhin e vendit, janë dhënë udhëzimet dhe drejtimet e duhura për të siguruar mbarëvajtjen e ritualit prej mëngjesit të së hënës deri në mesditë.

Konkretisht , u vendos që të përfshihen 1000 policë, të pranishëm në pikat kyçe, ku do të zhvillohet ceremonia si dhe përgjatë rrugës së kortezhit dhe në rezidencat e personaliteteve. Po ashtu do të operojnë  dy helikopterë dhe pesë drone, ndërsa brenda kishës së Mitropolisë në Athinë do të gjenden vetëm 187 personat që kanë ftesa.

Homazhet do të zhvillohen prej orës 6 të mëngjesit deri në orën 12 kur do të nisë procesioni i eksodit nga Kryepeshkopi Jeronymos. Sa i përket ish pronës mbretërore së Tatoit ku do të varroset ish mbreti, do të lejohet mbërritja  e njerëzve deri në hyrje të saj , ndërsa pranë varrit do të shkojnë vetëm ata që kanë ftesa.

Të shumtë do të jenë edhe pjesëmarrësit nga familjet mbretërore të Evropës midis tyre mbreti Filip i Spanjës, Margarita e Danimarkës me djalin e saj Frederik, Princi i Norvegjisë, familja mbretërore e Suedisë, ish-kryeministri i Bullgarisë Simeon, Duka i Luksemburgut , vajza e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth të Anglisë,  Alberti i Monakos dhe motra e tij, Mbreti William i Holandës, si dhe çifti mbretëror i Belgjikës.

Qeveria greke nga ana e saj do të përfaqësohet me zv. kryeministrin Panagiotis Pikramenos ,ndërsa orët e fundit kanë deklaruar pjesëmarrjen edhe disa deputetë apo politikanë të spektrit të djathtë.

Vdekja e ish monarkut të Greqisë dhe ceremonia e varrimit të tij kanë ngjallur përsëri debat politik me partitë e majta që akuzojnë qeverinë konservatore,  përse I jep kaq rëndësi një ish mbreti të dëbuar me referendum popullor shumë dekada më parë .

Top Channel