Mbi 250 mijë veta në ditë përdorin transportin publik ne kryeqytet.

Në muajt e fundit për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit, përdorimi i transportit publik u kthye në një opsion më të leverdisshëm. Por prej vitesh të shumta kanë qenë edhe ankesat e qytetarëve për pritjet e gjata në stacion si dhe për tejmbushjen e autobusëve.

“Linjat që kanë fluksin më të madh duhet ta kenë kohën e pritjes 3-5 minuta për të qenë realist por ajo që na ndodh ne në përditshmëri, kur ka edhe më shumë trafik është 20 minuta ose më shumë që natyrisht një ngadalësim në këtë kohë sjell një fluks më të rënduar dhe irritim të qytetarëve sepse nuk kanë një shërbim më të mirë”- shprehet Dashnor Memaj, kreu i shoqatës së transportit publik.

Për të rritur cilësinë e shërbimit në transportin publik, shoqata kërkon ndërhyrje në aspektin infrastrukturor dhe lehtësim të taksave.

“Koristë e dedikuara për transportin qytetas do bënin që të lëviznin autobusët më shpejt, ne si qytetarë do na orientonin drejt përdorimit të transportit publik me një kosto më të ulët. Duhet ndërhyrje emergjente financiare në aspektin e lehtësimit të taksave si vendet e rajonit që tvsh në shitje të jetë jo 20% por në pragun 0 ose 6%. Heqja e taksës së qarkullimit e cila nuk është e drejtë edhe e akcizës. Vetëm në këtë formë ne mund të kemi një shërbim më dinjitoz”- shton Memaj.

Ikja në masë e punëtoreve është një tjetër shqetësim me të cilin po haset sektori i transportit publik.

“Ikin për pagë më të mirë jashtë, kanë edhe kushte më të mira. Më problem kemi për shoferët, duhet një kohë relativisht me e gjatë për të dal shofer autobusi. Në rang vendi mbi 1500 është  numri I vendeve që kemi nevojë për punëtorë. Këtu është paga 50-60 mijë lekë për 8 orë pune kurse në vendet e BE është mbi 2 mijë euro”.- thotë Memaj.

Në kryeqytete operojnë 16 linja të transportit publik. Përdoruesit e shumtë duhet të paguajnë biletën që kushton 40 lekë ose të përdorin abonetë mujore. Se fundmi me vendim të këshillit bashkiak, për studentët aboneja është falas.

Top Channel