Një kallëzim i një banke të nivelit të dytë drejtuar Prokurorisë së Tiranës për një kredi të pashlyer zbuloi skandalin se si Ilir Thana u shpërblye dy herë për një pronë të blerë në vitin 1992 e cila iu kthye ish-pronarit 3 vite më vonë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë se Financave Arlind Gjokutaj, drejtori i shërbimeve mbështetëse dhe një përmbarues privat ranë në pranga të mërkurën, pasi akuzohen nga Prokuroria e Tiranës se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës i kanë shkaktuar shtetit 1.2 milion euro dëm. Përfituesi i parave, Ilir Thana u arrestua disa javë më parë për 2 vepra penale dhe më pas Prokuroria e Tiranës iu drejtua gjykatës, e cila urdhëroi arrestimin e 2 zyrtarëve të Ministrisë së Financave pa i pyetur për faktin dhe pa bërë një ballafaqim mes palëve.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tiranë është në shkelje flagrante të dispozitave ligjore Kushtetuese dhe të Kodit të Procedures Penale. Çështja në fjalë është një proces administrativ civil që nuk ka të bëjë fare me dispozitat e Kodit Penal dhe nuk bëhet fjalë për asnjë lloj korrupsioni apo abuzimi me detyrën nga një individ i respektuar si një zyrtar i pakompromentueshëm i shtetit. Ajo në vetvete përbën ekzekutimin e një titulli ekzekutiv pa asnjë lloj përfitimi material apo çdo lloj favori tjetër”, u shpreh avoakti i Arlind Gjokutaj, Genc Gjokutaj.
Këto argumente, mbrojtja pritet t’i paraqesë dhe nesër gjatë masës së sigurisë që do të mbahet për 3 të arrestuarit.
Top Channel