Shqyrtohen pamjet filmike të vrasjes së Pjerin Xhuvanit, Paplekaj paraqitet për herë të parë në seancë

11/01/2023 16:00

Pamjet filmike të vendit të ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani, të cilat kanë shkaktuar konfuzion mes palëve, po shqyrtohen këtë seancë gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Për herë të parë është paraqitur pranë trupit gjykues Arbër Paplekaj, i cili më herët është përfaqësuar vetëm nëpërmjet avokatit Mirash Martini.

Pamjet e sekuestruara nga kamerat rrotull vendit të ngjarjes në lagjen “5 Maji” në Elbasan në 21 prill 2021 nuk janë të qarta çka ka sjellë debate mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës.

Avokatja Rezarta Tahiraj në përfundim të seancës së sotme të procesit për vrasjen e mjekut dhe aktivistit politik Pjerin Xhuvani tha: Në planin njerëzor ishte e tmerrshme të shikoje atë video të  vrasjes së mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani.

“Si avokate deklaroj se ato video janë prova ekselente që gozhdojnë me përgjegjësitë e tyre të renda vrasësin Arbër Paplekaj por edhe të gjithë policët dhe komandantët e tyre. Ajo vrasje nuk do të ishte kryer dhe askush nuk do të ishte plagosur nëse policia do të kishte identifikuar dhe çarmatosur cilindo që ishte në atë vend. Vrasësit policia u lejoi kohën për të vrarë dhe arratisur i armatosur duke e vënë në kushte madje për të vazhduar për të vrarë dhe pra për të përmbushur një tragjedi”, shtoi ajo

“Videot që pamë në gjykatë konfirmuan sesa i madh ishte vullneti për të vrarë që ka pasur vrasësi” ka deklaruar avokate Rezarta Tahiraj, duke shtuar, “pasi ka qëlluar goditjen e parë të pistoletës ka qëlluar akoma shumë herë me vendosmëri precize për të vrarë atë njeri të pa armatosur. Familjaret e viktimës nga unë të përfaqësuar për rolin e palës civile ia kemi besuar drejtësisë fatin e vrasësit. Unë si avokat uroj që drejtësia të jete ekzemplare, mbi të gjitha në këtë proces ku provat janë shumë evidente dhe të rëndësishme”, theksoi ajo.

Kurse avokati i Paplekajt nuk ka pranuar të flasë për mediat.

Top Channel