Zbulohet shifra/ Pothuajse të gjithë në provincën më të madhe të Kinës janë infektuar me Covid

09/01/2023 16:41

Gati 90% e njerëzve në Henan, provinca e tretë më e populluar e Kinës, tani janë infektuar me Covid, thonë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

Zyrtari provincial Kan Quancheng zbuloi shifrën, që arrin në rreth 88.5 milion njerëz, në një konferencë shtypi. Ai tha se vizitat në klinikat e provincës Henan arritën kulmin më 19 dhjetor.

Kina po lufton me një rritje të paprecedentë të rasteve pasi braktisi politikat zero-Covid në dhjetor.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 120,000 njerëz në vendin me 1.4 miliardë banorë janë infektuar dhe 30 kanë vdekur që nga ndryshimi i politikës së Covid.

Ndërkohë të dielën, autoritetet raportuan tre vdekje nga Covid në territorin e Kinës, një më shumë se një ditë më parë.

Zyrtarë të tjerë lokalë dhe provincialë kanë dhënë gjithashtu të dhëna shumë të ndryshme nga ato nga qeveria qendrore. Në prag të Krishtlindjeve, një zyrtar i lartë shëndetësor në qytetin port të Qingdao raportoi se gjysmë milioni njerëz po infektoheshin çdo ditë. Këto shifra të rastit u hoqën me shpejtësi nga raportet e lajmeve.

Të dielën, Pekini hoqi gjithashtu karantinën e detyrueshme për të gjithë mbërritjet ndërkombëtare dhe hapi kufirin e tij me Hong Kongun. Në valën e parë të udhëtimeve para festave, të dhënat zyrtare treguan se 34.7 milionë njerëz udhëtuan brenda vendit të shtunën.

Top Channel