Një artiste e re italo-shqiptare, Suela Niosi, çeli në Durrës këtë fillim viti ekspozitën e saj të parë me titull “Natyra njerëzore”.

Bashkë me artin e saj, ajo ktheu në vëmendje dhe historinë e dashurisë së prindërve të saj, një histori e ngjashme me ato të shumë vajzave durrsake që u dashuruan dhe krijuan familje me ushtarakë italianë, që mbërritën në Shqipëri gjatë viteve ’90 në kuadër të misioneve humanitare dhe paqeruajtëse.

Edhe pse flet pak shqip, ajo i do shumë rrënjët e saj shqiptare.

“Një shtëpi e dytë për mua. Durrësi për mua është shtëpia. Kam shumë kujtime. Më pëlqen shumë Durrësi, si Sicilia. Unë jam nga Siçilia dhe Durrësi është njësoj për mua”, tha Suela.

E ëma, Alma, ishte gjimnaziste kur takoi kundëradmiralin italian Michele Niosi, që do të kthehej në dashurinë e jetës së saj.

“U njohëm rastësisht në një nga konferencat që atëherë u bënin në shkolla për ndihmat e gjërat që Italia po bënte për Shqipërinë. Ajo që më ra në sy ishte fakti se ai po fliste vetëm për problemet e  Shqipërisë dhe unë i thashë se do t’i tregoja gjërat e bukura të vendit tim. Ashtu nisi. Tani kemi 30 vjet martesë dhe dy fëmijë”, tha mamaja e Suelës, Alma Niosi Hoxha.

Të ndash jetën me një ushtarak nuk është aspak e lehtë, por sfida kishte nisur më herët për të.

“Nuk kam dalë jashtë familjes, vetëm kam ndryshuar armën… Mungesa sa të duash. Unë isha në Itali me fëmijët e vegjël dhe atëherë mësoja, ndërsa ai vazhdonte të ishte në Shqipëri në vazhdimësi me misionet Alba 1, Alba 2…” , tha mamaja e Suelës.

Të lumtur dhe më krenarë se kurrë, ata janë kthyer në Durrës për ekspozitën e Suelës.

Portretet, natyra dhe kontrastet e forta të saj e tërheqin artisten e re drejt një bote plot ngjyra dhe emocione, ndërsa peneli i saj përcjell dhe mesazhe për sfidën e kësaj epoke, depresionin dhe problemet e shëndetit mendor.

“Më pëlqejnë portretet dhe shikimi, edhe pse në disa prej tyre sytë nuk shfaqen, po shikuesi duhet t’i imagjinojë dhe të shohë atë që do”, tha Suela.

“Këto janë gjendjet emotive të personit dhe përqark e gjithë bota e ngjyrosur që duhet ta ndihmojë këdo që ndjehet keq. Mbase nuk mund ta ndryshosh atë si ndjehet brenda një njeri, por mund ta dëgjosh dhe të përpiqesh ta kuptosh dhe pranosh ashtu siç është”, thotë ajo.

Bota e artit nuk është e lehtë, por Suela ashtu si lulja e diellit është në ndjekje të energjisë pozitive, duke e kthyer artin në objektiv të jetës së saj, ndërsa vazhdon studimet për histori  antikiteti.

Gjatë ceremonisë ajo u nderua dhe me certifikatë mirënjohjeje nga Shoqata Ndërkombëtare e Policisë (IPA).

Top Channel