Policia e Kosovës ka njoftuar dy persona janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 31-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Policia e Kosovës, gjithashtu ka njoftuar se dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë dërguar me ambulancë për tretman të mëtejmë mjekësor në Graçanicë.
Sipas informacioneve të policisë, të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
Top Channel