Dita e ujit të bekuar/ Besimtarët ortodoksë zhvillojnë ceremoninë e kryqit

06/01/2023 15:27

Kremtimi i festës së ujit të bekuar në Korçë ka nisur prej orëve të para të mëngjesit me celebrimin e meshës për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Më pas, qytetarët korçarë i janë drejtuar shatërvanit te lulishtja “Vangjush Mio”, ku edhe është zhvilluar ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë.

Në Pogradec, kryqin e gjeti Niko Nikolla, ndërsa besimtarët  siç e do tradita e kësaj dite kanë mbushur shishe me ujë të bekuar në shenjë mbarësie për familjet e tyre.

Në Berat, At Johan Qako e hodhi kryqin në lumin Osum. Mes 7 të rinjve që u hodhën në ujërat e akullta të Osumit, kryqin e kapi 22-vjeçari Vasil Tapia nga lagja Goricë i cili mori 15000 lekë nga Mitropolia. I riu shëtiti me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala.

Në durrës, pas ceremonive në kisha, besimtarët u drejtuan në kalatat e portit detar, ku u hodh kryqi në ujërat e Adriatikut. Kryqi u kap nga 16-vjeçari Vasil Aleksi i cili u hodh bashkë me dy të rinj të tjerë në ujë për të kapur kryqin dhe çuar përpara një traditë të rëndësishme për besimtarët ortodoksë.

Në Gjirokastër, është celebruar bekimi simbolik i ujërave që përkujton sipas kalendarit ortodoks pagëzimin e Krishtit në ujërat e lumit Jordan, Enea Kondo djali që u krodh për të tretin vit radhazi për të kapur kryqin i uroi bekimet e kësaj dite gjithë atyre që janë në nevojë.

Ceremoni të ngjashme janë mbajtur në të gjitha qytetet e jugut pranë burimeve ujore. Në Vlorë, kryqi u hodh në det dhe u gjet nga 19-vjeçari i ardhur nga Fieri Athanas Davidi.

Ndërsa në qytetin e lindjes, e mori i vëllai, 15-vjeçari Anxhelo Davidi që e ka nxjerrë kryqin nga uji në shatërvanin e sheshit Europa.

Top Channel