Punonjëset e fasonerisë në Bilisht kanë vijuar protestën e tyre për të dytën ditë radhazi ndërsa Inspektorati i Punës ka pezulluar aktivitetin e fasonerisë për shkak te shkeljes dhe pengimit të së drejtës sindikale për protestë.

Punonjëset janë shprehur të vendosura për të vazhduar protestën deri në zgjidhjen e situatës.

Eglivel Laloshi shef i sektorit të drejtorisë rajonale të Inspektoriatit të Punës ka sqaruar se prej ditës së djeshme grupi i inspektimit ka mbërritur në ambientet e fasonerisë dhe inspektimi do të vazhdojë deri në datën 10 janar, ndërsa ka vendosur një masë administrative emergjente ndaj subjektit Toni Oil.

Punonjëset e fasonerisë u ngritën në protestë për shkak të vendimit për pushimin nga puna të kryesindikalistes Mirjeta Mulla ndërsa akuzuan subjektin për një sërë shkeljesh ligjore, duke përfshirë mbajtjen e punonjëseve te pasiguruara, uljen e pagës, mungesën e ngrohjes si dhe kushtet e papërshtatshme higjeno-sanitare.

Top Channel