Tiranës i është shtuar një hapësirë tjetër pedonale, në zonën pas Ministrisë së Arsimit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se kjo hapësirë, e cila lindi fillimisht si ide për t’u kthyer në pedonale gjatë ditëve pa makina që pasuan kufizimet e pandemisë, sot është një histori suksesi, njësoj si Pazari i Ri apo Kalaja e Tiranës.

“Kjo ka qenë një rrugë e cila, si të gjitha projektet fillestare, ka pasur shumë rezistencë. Rruga pedonale duket si diçka e huaj, si një ndryshim që e provokon pak komunitetin. Por sot, në fakt, morëm notën 10, sepse të gjithë anëtarët e komunitetit, duke filluar nga vëllezërit Sukaj te ‘Heminguej’, që propozuan fillimisht bllokimin e rrugës vetëm për këmbësorët, që lagjja të kishte një shëtitore, edhe pse është në zemër të Tiranës, në dy akset më të rënduara të Tiranës si “Rruga e Durrësit” dhe “Rruga e Kavajës”, sot ka dalë një histori suksesi, ashtu si Pazari i Ri, si Kalaja. Propozimi ynë është ta kthejmë në një zonë të veçantë pedonale, ku praktikisht të gjitha komunitetet funksionojnë si një bashkësi”, tha Veliaj.

Veliaj i është përgjigjur edhe debatit në lidhje me emërtimet e rrugëve në kryeqytet.

  “Për mendimin tim është një debat proto-fashist, ku thonë t’i heqin emrin e Mihal Durit, Asim Vokshit dhe Avni Rustemit – është vërtet proto-fashist. E di që bëhet në prag të fushatës për 5 vota këtu e 5 vota atje – nëse kanë mbetur ende admirues të fashizmit në Shqipëri – por nuk i shkon gjeneratës sot. Identiteti i qytetit përkon me ata që kanë lënë gjurmë në vendin tonë”, tha Veliaj.

Top Channel