Një fabrikë për prodhimin e sfungjerëve, jorganëve dhe materiale të tjera tekstile është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në lagjen Skënderbej në qytetit e Elbasanit.

Magazina me materiale tekstile u përfshi nga flakët të cilat erdhën si pasojë e një defekti në sistemin elektrik, ndërkohë zjarri vazhdoi për 3 orë duke shkaktuar një ndotje kolosale, jo vetëm në zonën përgjatë aksit nacional Elbasan Tiranë, por në të gjithë qytetin e Elbasanit. Magazina ishte në pronësi të 53-vjeçarit Florenc Salibashi dhe prej 20 vitesh ushtronte aktivitetin e saj në këtë zonë.

E gjithë puna e ekipit zjarrfikës u përqëndrua në shpëtimin e godinave pranë, pra fabrikën dhe biznese të tjera që ndodhen ngjitur. Fatmirësisht është arritur të shpëtohet kjo pjesë tjetër e fabrikës ndërkohë që magazina u dogj tërësisht.

Nuk pati të lënduar në këtë zjarr i cili vijoi për orë të tëra.

15 efektivë zjarrfikës, i gjithë ekuipazhi i mjeteve të repartit të zjarrfikëses në Elbasan dhe efektivë të policisë gjithashtu u angazhuan për orë të tëra, por vetë lloji i materialeve e bëri të vështirë punën për fikjen e zjarrit.

Top Channel