Kina reagon ashpër ndaj kufizimit të udhëtimeve: S`kanë bazë shkencore!

03/01/2023 10:18

Pekini reagoi ashpër ndaj kërkesave të reja për testim për COVID-19, që disa shtete u bëjnë pasagjerëve të cilët udhëtojnë nga Kina.

Mungesa e informacionit mbi nënvariantet e virusit SARS-CoV-2 dhe shqetësimet se numri i shtuar i rasteve me koronavirus në Kinë mund të rezultojë në zhvillimin e varianteve të reja, ka bërë që të kërkon masa ndaj udhëtareve kineze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Franca dhe Japonia janë ndër vendet që kërkojnë tani prej tyre një test negativ në hyrje, duke qenë se Kina po përballet me një rritje të rasteve.

“Disa vende kanë vendosur kufizime të hyrjes që shënjestrojnë vetëm udhëtarët kinezë. Këtyre kufizimeve u mungon baza shkencore dhe disa praktika janë të papranueshme. Në këtë situatë, Kina mund të marrë kundërmasaat e saj  bazuar në parimin e reciprocitetit”– u shpreh Mao Ning, zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze.

Kina po përjeton një rritje të infeksioneve të koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19, edhe pse për një kohë shumë të gjatë vendosi kufizime të ashpra, të cilat u zbutën papritur muajin e kaluar me pak paralajmërim ose përgatitje duke bërë që spitalet dhe krematoriumet të mbingarkohen shpejt.

Në fund të dhjetorit, Pekini tha se udhëtarëve hyrës nuk do t’u kërkohet më të karantinohen, duke bërë që shumë kinezë të nxitojnë të planifikojnë udhëtime të shumëpritura jashtë vendit.

Top Channel