Hakmarrje për shokun? Del fotoja e ekzekutorit të Edmond Papës, shok i ngushtë me Aleksandër Sadikajn

03/01/2023 11:27

Tre javë pas vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Selitë të Tiranës policia ka identifikuar dhe ka vënë në pranga një prej personave që mori pjesë në ekzekutim në rolin e vëzhguesit.

Sipas hetimeve të policisë, rezulton se grupi i vrasësve e kanë vëzhguar për disa ditë objektivin e tyre Edmond Papa në Sarandë dhe në Tiranë derisa gjetën momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një lokal pasditen e 16 dhjetorit në Tiranë. Seria e pamjeve të kamerave të sigurisë shërbeu për identifikimin e dy prej personave që morën pjesë në ekzekutim ndërkohë që në pranga ka rënë vetëm Albano Velo, i cili u arrestua më 1 janar sapo mbërriti në Rinas.

Albano Velo, djali i një punonjësi policie në kryeqytet, 4 ditë pas vrasjes u largua nga Shqipëria në drejtim të Francës. Duke menduar se nuk kishte lënë asnjë provë në ekzekutim, u rikthye në ndërrimin e viteve në atdhe ku u vu në pranga sapo mbërriti në Rinas. Pas arrestimit të tij me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, babai i tij Dilaver Velo që shërbente në komisariatin nr. 4 u pezullua nga detyra.

Ndërsa 44-vjeçari nga Tirana që bashkëpunoi në vrasjen e Papës, nuk mundi të vihet në pranga dhe u shpall në kërkim.

Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ndodhi si hakmarrje për ekzekutimin më 11 qershor të Aleksandër Sadikajt në kryeqytet. Dyshohet se para ngjarjes Sadikaj dhe Papa u takuan në hotelin e këtij të fundit në Sarandë ku kanë pasur mosmarrëveshje për sa i përket trafikut të drogës. Fill pas këtij takimi Aleksandër Sadikaj u ekzekutua me eksploziv që dyshohet se u porosit nga Papa. Për këtë arsye 6 muaj më vonë Albano Velo mik i ngushtë i Aleksandër Sadikajt së bashku me persona të tjerë të përfshirë ruajtën dhe ekzekutuan biznesmenin teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në kryeqytet pasditen e 16 dhjetorit.

 

 

Top Channel