Një 57-vjeçare me profesion veterinere, e ka kthyer në kazus padinë kundër prokurorisë, të cilën e akuzon se nuk hetoi sikurse duhet zyrtarët që e shkarkuan nga detyra duke i përpiluar fakte të falsifikuara.

Sose Buçpapaj ishte me detyrë inspektore pranë AKU në Kukës deri në 2014 kur ajo u shkarkua, një çështje për të cilën kërkoi hetime ndaj katër eprorëve të saj. por për 4 vite dosja penale u qarkullua në prokuroritë Kukës, Tropojë , Kurbin dhe në Shkodër dhe në fund hetimet ndaj zyrtarëve u mbyllën me pafajësi. kur gruaja e humbi shpresën për të vënë drejtësi edhe në apelin e Shkodrës, ajo kallëzoi prokurorin e radhës Elvin Gokaj për shpërdorim detyre, një çështje kjo që së fundmi u kthye në odise gjyqësore.

Në dokumentet që disponon Top Channel, Gjykata e Apelit në Tiranë e cila kishte kërkuar veprime shtesë hetimore vendosi pushimin e hetimeve ndaj prokurorit Gokaj duke shtuar se sipas ligjit qytetarja mund ta vazhdojë kërkimin e drejtësisë në Gjykatën e Lartë.

Prokurori për të cilin u krye padia aktualisht mban detyrën e prokurorit të Posaçëm në SPAK
Gjykata e apelit i thotë qytetares se prokurori Gokaj kishte kryer rekurs mbi vendimin e pafajësisë që dhanë gjykatat por çështja për zyrtarët që e larguan nga puna vazhdon të presë në gjykatën e lartë.

Gjykata thotë me tej se në kushtet kur prokurori Gokaj nuk ishte prokuror i hetimit, por përfaqësoi akuzën në apel, ai nuk kishte asnjë mundësi të zhdukte prova.

Top Channel