I lindur në një prej zonave më të varfra të vendit, në Bulqizë, Mariglen Qorri është shembulli i të riut që vështirësitë i kthen në mundësi përmes punës dhe guximit.

Që fëmijë provoi sfidat e emigrimit, po për shkak të krizës në Greqi familja u kthye në atdhe ku Marigleni ndoqi dhe studimet në universitetin e Durrësit. Atëherë, sipërmarrja i dukej një ëndërr e ndaluar, po shpejt e kuptoi se ishte gabuar.

”Mendoja se të ishe sipërmarrës ishte çështje fati apo e trashëgueshme, po duke lexuar libra dhe takuar njerëz kuptova se ishte çështje dëshire, pune dhe zgjedhjesh që bën në jetë.”, thotë ai.

Mjaftoi një laptop për të shfrytëzuar mundësitë që të jep sot bota e internetit.

”E nisa i vetëm nga dhoma e gjumit, pastaj hap pas hapi dhe duke u munduar të jap më të mirën”.

“Gjatë pandemisë, kur gjithçka ishte e paqartë me shumë të panjohura, m’u dha mundësia përmes një shoku të hapim një kompani. Ishte si një test se kështu fillon me hapa të vegjël”.

Sot, ai ka sipërmarrjen e tij, një agjenci me një staf prej 7 të rinjsh që ofron shërbime zyre për kompanitë e huaja në distancë.

”Jemi të specializuar në kompani ndërtimi dhe një kompani në Kanada nuk ka nevojë të ketë staf zyre, por e bëjmë ne nga këtu. Qëllimi ynë është të ofrojmë shërbim me të njëjtën cilësi që do të bëhej atje, po me kosto më të ulët”.

Përveç punës, Marigleni është dhe një aktivist i angazhuar në çështje të ndryshme me karakter humanitar e mjedisor në Durrës, pasi është i bindur se vetëm qytetarët e angazhuar mund ta përmirësojnë cilësinë e jetës në Shqipëri.

“Le të shikojmë ne çfarë mund të bëjmë. Jo të kërkojmë gjithmonë nga të tjerët”.

Top Channel