Diana, apo Lali siç e thërrasin ndryshe, është një nga personazhet më interesante të qytetit të Durrësit.

Dëshmi e gjallë e zakoneve të hershme shqiptare, normuar edhe në kanunin e Lek Dukagjinit, ajo është kthyer në një nga përfaqësueset e institucionit të burrneshave shqiptare, një institucion që josh gjithnjë e më shumë kineastë dhe gazetarë të huaj, po fama nuk e ka ndryshuar.

“- A po zhduket institucioni i burrneshave?

– Po, drejt asaj rruge janë. Po shkon drejt zhdukjes se varet nga mosha. Nuk ndryshoj deri ne vdekje”- tha Diana Rakipi

Pjesë e një familjeje të madhe, natyra e saj prej djali ka spikatur që në fëmijëri.

“Donin, s’donin, unë isha “Ai”, se kisha dhe 3 vëllezër, sa thoshte baba kam 4 djem e 5 vajza. Ishte natyra ime sepse jam rritur mes meshkujve që në shkollë.”

Këto ditë festash dhe koha plot diell e gjejnë Lalin buzë detit, duke shkëmbyer urimet e rastit me bashkëqytetarë, po dhe duke vizatuar mbi dru.

“Më pëlqen deti. Të jep frymëzim. Kalon kohën e nuk merresh me blablabla dhe kur dikush ka ditëlindjen, ndonjë fëmijë ia jap peshqesh. Është kënaqësi. Edhe të rinjtë s’duhet ta kalojnë kohën kot.”- tha Diana Rakipi

Edhe pse vetë nuk ka krijuar një familje, ajo nuk ka pengje. Ka aq shumë dashuri për të dhënë e kujdes për të treguar dhe kalon shumë kohë dhe me një grup të rinjsh, një pjesë e të cilëve janë larguar nga vendi.

“Mjafton një telefon dhe është aty për ndihmë, këshillë e çdo gjë. Kalojmë kohë bashkë me miq. Më thotë shpesh: Ji vetvetja!”- tha Mustafa Llani, jurist

“Unë kam 5 djem e sidomos secili ka zanatin e vet. Njëri ka bërë një libër, tjetri është në Bullgari. Është flautist… këtu s’gjente dot punë. Mos t’i largojmë të rinjtë se këtu kanë lindur e ta ripërtërijmë vendin tonë.”- tha Diana

E shqetëson fakti se shumë të rinj po largohen, po ka shpresë së një ditë të afërt ata do të kthehen dhe ndryshojnë vendin.

Top Channel