Veliaj uron Vitin e Ri në familjen që përfitoi nga rindërtimi në lagjen e re “5 Maji”: Kemi sistemuar çdo kurorë, të gjithë dolën më të fituar!

01/01/2023 10:33

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte pasditen e sotme në familjen e Arun dhe Arta Avdiut, përfitues nga programi i rindërtimit të një shtëpie 3+1 në lagjen e re “5 Maji”.

Me urimin për një vit të mbarë për çdo familje shqiptare, Veliaj u shpreh gjatë kësaj vizite në familjen Avdiu se e gjithë lagjja do të urbanizohet në mënyrë që banorët e rinj të saj të kenë të gjitha shërbimet.

“Gëzuar, një vit të mbarë! Shtëpia ka dalë mrekulli, kur mendoj se ka qenë këtu një baltovinë. Pashë kur po vinim shkallëve, ishin këpucët gjithandej dhe kuptova që ishte gjithë shkalla e banuar. Ne po mendojmë të sjellim disa institucione, përfshi edhe njësinë administrative. Se kur vjen edhe bashkia këtu me një zyrë, kur vjen edhe qeveria me taksa, me tatime, kur vijnë edhe disa zyra të tjera, fillojnë dhe kuptojnë njerëzit që ka vlerë, se gjersa shteti sjell vet zyra këtu, do të thotë që gjithë zona do ketë vlerë. Plus që do hapet ura aty me Kamzën dhe praktikisht do jetë hyrja e Tiranës. Merr shtëpia, merr vlerë prona, merr vlerë toka, gjithë terrenet dhe pastaj marrin vlerë dhe 10-tat,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se me rindërtimin përfituan të gjithë më shumë.

“Kryeministri vendosi t’i bënte gjithë shtëpitë, e t’i jepte të gjithë njerëzve sipas kurorave m2, unë e di që ndonjëherë futet politika edhe për keq, aty te ai “Pallati 4”, 60 familje, ishin këtu, nënë Drita bashkë me të shoqin, edhe disa njerëz thonë – “Për ideal të partisë unë do rrimë aty!” Po si do rrish në gërmadhë, si? Se sot, se je aty, se je 300 metër, në momentin që je në një infrastrukturë, ke marrë shtëpi më të mirë, të është certifikuar, nuk është bërë me punë vullnetare, si ato pallatet që bëheshin. Sot e di që i lë kalamajve 3 dhoma dhe një kuzhinë në rrugën kryesore të Tiranës dhe nesër ka një vlerë, e marrin një kredi, e fut në hipotekë. Është e jashtëzakonshme,” tha ai.

“S’ka bërë vaki kjo gjë, prandaj. S’ka bërë vaki ndonjëherë që të sistemohen njerëzit në këtë mënyrë, normal që ishte ajo dilema,” u shpreh kryefamiljari.

“Po flisja me çunat e nënë Lizës, i kishin shkruar Dankos, i thanë – “I ramë në qafë Lali Erit, por këtu qenka parajsë në krahasim me çfarë kishim”. E pa legalizuar, me ato këmbët për përmbytjen e lumit, pra rrinte shtëpia si një karkalec, si të ishte vinç me 4 këmbë, vetëm që të vinte uji. Dhe ndërkohë do marri një shtëpi tamam, 500 metra kishin, 500 metra do marrin. Kishit 2 dhe kuzhinë, do merrni 3 e kuzhinë, siç morët. Kështu që në këtë sens duhet bashkëpunim,” shtoi Veliaj.

Top Channel