Incidentet gjatë natës së ndërrimit të viteve/ Një 24-vjeçar vdiq në aksident, zjarr në tregun e Durrësit, 13 të plagosur nga fishekzjarret

01/01/2023 15:16

Nata e ndërrimit të viteve në vend ishte përgjithësisht e qetë dhe nuk u shënuan ngjarje të rënda apo kriminale.

Ato që shqiptarët nuk e shmangin dot sidomos në festa janë aksidentet.

Mbrëmjen e së shtunës në Bulqizë 24-vjeçari Yllson Tasha humbi jetën pasi mjeti me të cilin udhëtonte u përplas me trafikndarësen e më pas doli nga rruga çka rezultoi fatale për të riun.

Një zjarr i përmasave të mëdha po fatmirësisht vetëm me dëme materiale u shënua në mesnatën e ndërrimit të viteve në tregun industrial në Durrës ku u shkrumbuan 5 dyqane.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, por dyshohet se tenda e njërit prej bizneseve të ketë marrë flakë si pasojë e shpërthimit të fishekzjarreve nga qytetarët, duke u përhapur dhe tek të tjerat.

Prej vitit 2018 Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxorën një vendim që  ndalonte prodhimin, importin, eksporti, magazinimi, shitjen dhe përdorimin e të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrëve. Por ndërrimi i viteve dëshmoi se ky vendim është vetëm në letër pasi këto sende të ndaluara u tregtuan jashtë çdo kontrolli dhe u përdorën masivisht nga qytetarët.

Duke qenë se asnjë institucion nuk i ka kontrolluar në duar të qytetarëve kanë shkuar fishekzjarre të skaduar të mbajtur magazinave për shumë kohë ose fishekzjarrë jashtë standardit që kanë sjelle pasoja dhe tek qytetarët.

Vetëm gjatë kësaj mesnate në spital kanë shkuar 13 qytetarë me djegie nga fishekzjarrët. 12 në Tiranë dhe një në Pogradec.

Fatmirësisht dëmtimet kanë qenë të vogla dhe pas ndihmës mjekësore ata janë larguar në banesat e tyre.

Top Channel