Një 32-vjeçar është vënë pranga pasi transportonte 23 emigrantë të paligjshëm më furgon mallrash.

Erton Krasniqi po I ndihmonte për të kaluar kufirin ilegalisht, përkundrejt fitimit 500 euro për person.

Mbi të rëndon vepra penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa mjeti dhe një telefon janë sekuestruar.

Njoftimi plotë: 

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin paligjshmërisht.

Operacioni, rezultat i punës së koordinuar të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës ” Milot – Morinë” dhe atyre të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë.

Transportonte me një furgon mallrash, 23 emigrantë, kundrejt 500 eurove/person, për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin, kapet në flagrancë në Rrubik, dhe vihet në pranga 32-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës ” Milot – Morinë” dhe specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë, për të parandaluar dhe për të goditur dhënien ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalimin e paligjshëm të kufirit, të mbështetur nga inteligjenca informative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjali”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e policisë, në autostraden ” Milot – Morinë”, në vendin e quajtur Rrubik, kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip furgon i mbyllur, i përshtatshëm për transport mallrash, me drejtues shtetasin E. K. Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në këtë automjet janë gjetur 23 emigrantë nga vendet MENA, të cilët 32-vjeçari po i transportonte kundrejt 500 eurove/person, drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në përfundim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K, 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel