Kryeministri Edi Rama në vend të konferencës për shtyp te fundvitit preferoi t’i uronte shqiptarët përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale duke e vënë theksin tek Pakoja e Madhe e mbështetjes financiare për rreth 1 milion shqiptarë.
“Ne nuk mund t’i linim ata vetëm në këtë dimër të vështirë për të gjithë Europën, po mbi të gjitha për më të dobëtit. Prandaj duke u nisur në radhë të parë, pikërisht nga nevoja për ta larguar atë dorë shqetësuese nga konsumi i tyre bazë, ideuam Pakon e Madhe”.
Kryeministri angazhohet për vijimin e mbështetjes të pensionistëve gjatë vitit 2023.
“Ndërkohë, kjo mbështetje nuk e zëvendëson, as e ndryshon zotimin se pensionistët do të jenë vitin që po vjen, përfituesit e parë nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, të cilën e miratuam në Kuvend me paketën fiskale 2023. Kështu që kjo pako, ku ka 8000Lekë të reja për çdo pensionist, e cila do të shpërndahet javët e para të janarit, nuk është mbështetja e fundit ekstra për pensionistët për vitin që po troket”.
Pakoja e Madhe thotë kryeministri, përfshin edhe ata me pagë bruto mbi 600 mijë lekë.
“Duke përjashtuar natyrisht nivelet politike të administratës. 11 mijë infermierë, 5411 mjekë, 30 mijë e 693 mësues dhe edukatorë, 15 mijë e 384 punonjës sigurie, punonjës të policisë së burgjeve si dhe 14 mijë e 318 nëpunës do të marrin nga 10 mijë lekë të reja, të cilat i shtohen rritjes së pagave të tyre këtë vit, duke e bërë praktikisht zero efektin e inflacionit të luftës për familjet e tyre. Ndërkohë, edhe pse kanë paga më të larta se sa 60 mijë lekë bruto, efektivët e Forcave të Këmbësorisë që morën me mund e me meritë edhe certikatën si forcë ekselence e NATO-s, ata të Forcave Speciale Delta, Renea, Ndërhyrja e Shpejtë, Njësia Operacionale apo Zjarrëfikësit do të marrin nga Pakoja e Madhe 20 mijë lekë të reja”.
Mesazhin e fundvitit kreu qeverisë shqiptare e mbyll duke theksuar se E mira s’ka fund, dhe kjo do të jetë gjithnjë e më shumë qeveria e shumicës, jo e disave sepse jemi këtu për ata, shumicën e shqiptarëve, jo për disa.
Top Channel