Tre persona kanë përfunduar të sëmurë rendë pasi kanë konsumuar ujë të kontaminuar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e se mërkurës në qendër të qytetit të Shkodrës, në një prej restoranteve ku zhvillohen mbrëmje festive.

Një 14-vjeçar i cili po konsumonte darken së bashku me nënën e tij, i ka kërkuar stafit të shërbimit, një shishe me ujë dhe menjëherë kamerieri i ka dërguar porosinë, një shishe me ujë e ambalazhuar siç është prodhuar fabrikisht.

14-vjeçari sapo e ka konsumuar ka ndjere djegie në fyt dhe menjëherë pas tij edhe e ëma e ka provuar ujin duke pasur të njëjtat shqetësime. Ata kanë njoftuar stafin e lokalit dhe ka qenë kamerieri i cili serish ka provuar ujin në shishe për te verifikuar pretendimet e klientëve por edhe ai është helmuar.

Menjëherë ata janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ku për shkak të  djegieve në ezofag dhe stomak, nenë e bir janë dërguar për në Tiranë për mjekim me të specializuar. Dyshimet e para janë se ne shishe ka pasur përzierje me acid.

Drejtuesit e restorantit thonë se u kanë shërbyer dy klientëve  të njëjtin ujë në shishe të ambalazhuar, si për të gjithë klientët e tjerë që kanë patur atë mbrëmje.

Prokuroria e Shkodrës po vijon hetimet në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për ujin e kontaminuar që ka patur në brendësi të shishes.

Top Channel