‘Koncert në vitin 1936’/ Pas restaurimit shfaqet në Libohovë ku nisi xhirimet 45 vjet më parë

29/12/2022 12:49

Filmi “Koncert në vitin 1936” u rikthye në Libohovë për tu shfaqur pas restaurimit atje ku kishin nisur xhirimet për të gati 45 vjet më parë.

Skënderi nga Libohova ishte 10 vjeç kur u bë pjesë e xhirimeve si djali i tellallit Trifon. I zgjoi në atë kohë shumë ëndrra dhe rikthimi i filmit në Libohovë është një ngjarje emocionuese për të.

Në Libohovë tellalli sërisht u improvizua për të sjellë banorët në rishfaqjen e filmit, xhirimet e të cilit ishin ngjarja e vetme kinomatografike në qytezë.

Filmi që kishte pësuar një degradim serioz dhe po kthehej pothuajse në bardhë e zi pati ndërhyrje për korrigjimin e ngjyrave, audios dhe qartësisë së imazheve.

“Koncert në vitin 1936” film i njohur i regjisorit Saimir Kumbaro, bazuar mbi një novelë të Dhimitër Shuteriqit ishte një ndër filmat më të degraduar të fondit të Arkivit të Filmit. Më parë përmes teknologjisë së avancuar janë restauruar filma si “Përrallë nga e kaluara” filmi i parë shqiptar “Tana”, “Mimoza llastica” apo “Beni ecën vetë”.

Në fondin prej 6000 titujsh të arkivit shqiptar ka ende shumë filma që kanë nevojë të restaurohen por fatmirësisht nuk ka filma të humbur përfundimisht apo me dëmtime serioze të parikthyeshme.

Top Channel